I biri u përlesh më 6 policë, flet e ëma e Klevi Metajt: E sulmuan pas krahëve

Në Gjykatën e Tiranës po mbahet seanca ndaj 22 personave protestues, teksa prindërit dhe të afërmit po presin jashtë ambienteve.
Përpara gjykatës ndodhet edhe nëna e studentit të juridikut Klevi Metajt, gazetarja e njohur Brikena Metaj. Kjo e fundit tha se djali i saj po ecte në trotuar e se një polic e qëlloi pas krahëve dhe e ofendoi.
Brikena Metaj: Unë e kam marrë vesh rastësisht faktikisht, bashkë me bashkëshortin nga një telefonatë nga një shoqe e gjimnazit të Klevit, që e pa tek News24.
Ajo më telefonoi dhe më tha se Klevi është përleshur me policinë dhe është arrestuar. Ishte lajm i tmerrshëm. Më pas, as në telefon nuk flisnim dot me të. Djali natën punon, ditën shkonte në shkollë. E dinim se djali ishte në shtëpi dhe po flinte gjumë, pasi kishte ardhur nga gjumi i natës.
Nëse një person shkel ligjin, duhet ta çojë në komisariat por asgjë nuk e justifikon uniformën ta godasë.
Klevi po ecte në trotuar, polici erdhi pas krahëve e godet dhe e ofendon dhe sigurisht që reagimi ka qenë instiktiv. Besoj se çdo i ri në atë moshë nëse goditet në mènyrë të beftë dhe polici e ripërsërit atëherë i riu reagon.
Po e kam takuar. Klevi është një djalë i qetë, i drejtë dhe i sinqertë. Ai është ende në spital sepse nuk është në gjëndje të mirë.
Ai është student, vetëm një javë më parë isha në ceremoninë e diplomimit, se fëmijët i kam binjakë. Shpresoj shumë që të mbarojë mirë e gjitha kjo, e rëndësishme është që të mbarojë mirë.


