Greqia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmiijët nën 15-vjeç

Kosovë&Rajon

Greqia ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmiijët

Parlamenti i Greqisë ka miratuar kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare. Ligji u miratua gjatë një seance që përfundoi në orët e para të së premtes, më 23 tetor, ndërsa do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Sipas procesverbalit zyrtar të Parlamentit, projektligji u miratua me shumicë votash. Partia në pushtet, Demokracia e Re, votoi pro, PASOK-u u deklarua “i pranishëm” në votimin për tërësinë e projektligjit, ndërsa partitë e tjera të përfshira në votim kundërshtuan atë, raporton “Greekreporter”.

Me këtë vendim, kufizimet e paralajmëruara më herët nga qeveria greke bëhen pjesë e legjislacionit të miratuar. Platformat e rrjeteve sociale do të mbajnë përgjegjësi për verifikimin e moshës së përdoruesve, në vend që kjo përgjegjësi t’u lihet vetëm prindërve.

Një nga veçoritë e ligjit lidhet me mënyrën e përcaktimit të moshës. Sipas tij, 1 janari konsiderohet si datëlindja e të gjithë personave të lindur brenda të njëjtit vit kalendarik. Kështu, fëmijët e lindur në vitin 2012 do ta përmbushin kriterin e moshës në janar 2027, edhe nëse ditëlindjen e tyre të 15-të e kanë më vonë gjatë atij viti.

Ofruesit e shërbimeve mund ta verifikojnë moshën përmes aplikacioneve “Kids Wallet” ose “Gov.gr Wallet”, por ligji nuk e bën të detyrueshëm përdorimin e një aplikacioni të caktuar. Metodat e tjera të verifikimit duhet të përmbushin standardet e besueshmërisë, proporcionalitetit dhe mbrojtjes së privatësisë.

Ministria e Qeverisjes Digjitale ka theksuar se verifikimi duhet të përcaktojë nëse përdoruesi e ka arritur moshën e kërkuar, pa u përcjellë platformave të dhëna personale të panevojshme.

Qeveria greke e ka paraqitur këtë politikë si një masë për të zvogëluar ndikimin e dëmshëm të përdorimit të internetit dhe për të mbështetur familjet. Ajo vjen në vazhdën e masave të tjera, përfshirë kufizimet për përdorimin e telefonave celularë në shkolla.

Gjatë debatit parlamentar, PASOK-u propozoi që fëmijëve 13 dhe 14 vjeç t’u lejohej përdorimi i llogarive të kufizuara në rrjetet sociale, nën mbikëqyrjen e prindërve.

Ndërkohë, qeveria ka mbështetur vendosjen e një kufiri të vetëm moshe në nivel kombëtar, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një kuadri të përbashkët evropian për këtë çështje.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion