Francë/ Vritet me armë zjarri sportisti i MMA-së, Macron: Sulm terrorist dhe racist

Një 26-vjeçar, sportist amator i arteve marciale të përziera (MMA), është vrarë me armë zjarri më 23 tetor në Trappes, në periferi të Parisit. Viktima është identifikuar nga klubi i tij sportiv si Pengo Bossio Wangi.
Sipas mediave franceze, një person i armatosur hapi zjarr në disa zona të Trappes dhe në qytetin fqinj La Verrière, duke shkaktuar vdekjen e të riut dhe plagosjen e pesë personave të tjerë, mes tyre edhe një vajzë 12-vjeçare.
Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar si një “sulm terrorist racist”. Për shkak të dyshimeve se viktimat mund të jenë përzgjedhur për shkak të ngjyrës së lëkurës apo përkatësisë fetare të perceptuar, çështja i është kaluar Prokurorisë Kombëtare Antiterroriste të Francës.
Një 39-vjeçar i dyshuar për sulmin është arrestuar, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin motivet e tij dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, klubi sportiv Atch Academy, ku stërvitej Pengo, ka publikuar një mesazh prekës në kujtim të tij. Klubi e përshkroi të riun si një person të respektueshëm, bujar dhe gjithmonë të gatshëm për të motivuar të tjerët.
“Askush nuk duhet të humbasë jetën për shkak të ngjyrës së lëkurës”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit, ku shprehet solidaritet edhe me familjen e viktimës dhe personat e plagosur.


