“Do ta paguajnë financiarisht e penalisht” / Rama i prerë me organizatorët dhe ushtruesit e dhunës në rrugë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave në Tiranë, do të paguajnë.
Në një konferencë për mediat, Rama tha se ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës do të përgjigjen penalisht, ndërsa frymëzuesit e dhunës, financiarisht.
Duke i cilësuar protestat e dhunshme në Tiranë si një terror urban nga ANTIFA, me qëllim gjunjëzimin e shtetit dhe mbjelljen e përçarjes fetare në Shqipëri, Rama tha se organizatorët i kanë bërë llogaritë gabim.
Përgjigja e shtetit ndaj protestuesve të dhunshëm, sipas Ramës, do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse.
“Nevoja e asaj pjesës së shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të Qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës, janë fokusi absolut i imi dhe i Qeverisë. Do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata që duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe idetë e tyre sesi mund të afresohen këto nevoja.
Ne do të prezantojmë dita ditës atë që është reflektimi ynë i përditshëm për këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e shoqërisë. Ndërkohë që të gjithë ata që i bëjnë jehonë dhunës, apo ushtrojnë dhunë, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv terrori urban, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit. Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar.
Kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s dhe të bëjë punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare dhe e duan të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që do të paguajë në të gjitha format, si penale për ushtruesit e drejtpërdrejtë të saj, ashtu edhe financiare për hymnizuesit dhe propaganduesit e saj”, tha mes të tjerash Rama.


