Zjarret në Shqipëri nën kontroll pas reshjeve, vetëm një vatër aktive në Skrapar

Ministria e Mbrojtjes njofton për përmirësim të dukshëm të situatës së zjarreve në territorin e Shqipërisë gjatë 24 orëve të fundit, falë reshjeve të shiut që kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit.
Aktualisht, vetëm një vatër zjarri mbetet aktive në fshatin Spatharë, në njësinë administrative Vëndreshë, bashkia Skrapar. Të gjitha vatrat e tjera janë shuar plotësisht.
Përllogaritjet tregojnë dëme të konsiderueshme nga flakët në zona të ndryshme: në Planin e Bardhë dhe Malin e Allushit në Klos janë djegur 120 hektarë, ndërsa 350 hektarë të tjerë janë përfshirë nga zjarri. Në zonën Zall Gjoçaj, Derjan në Mat janë djegur 20 hektarë, me 499 hektarë të përshkuar nga flakët. Në Gur i Bardhë të Xibrit në Klos zjarri tashmë është shuar plotësisht.
Në zonën Gurë-Lurë, Dibër janë djegur 55 hektarë, ndërsa janë përshkuar 580 hektarë nga zjarri. Në Qafën e Buallit, Bulqizë, megjithë ndërhyrjen tokësore dhe ajrore me helikopterë, zjarri ka djegur 22 hektarë dhe ka përfshirë 35 hektarë të tjerë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe reshje të shpërndara në qarqet e tjera, që pritet të ndihmojnë në parandalimin e ndezjes së zjarreve të reja.


