Trump: Presidenti Xi i di dhe i kupton pasojat e pushtimit të Tajvanit nga Kina!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se homologu i tij kinez, Xi Jinping, “i di pasojat” e një pushtimi ushtarak të Tajvanit, por nuk pranoi të thoshte nëse Uashingtoni do ta mbronte ishullin ushtarakisht.
Në një intervistë me emisionin “60 Minutes” të CBS, pjesë të së cilës u transmetuan të dielën (2 nëntor), Trump tha se çështja e Tajvanit “as nuk u përmend” gjatë takimit të tij me Xi në Korenë e Jugut – takimi i parë ballë për ballë midis dy udhëheqësve në gjashtë vjet.
Kur u pyet nëse do t’i urdhëronte forcat amerikane të vepronin në rast të një sulmi kinez, Trump u përgjigj:
“Do ta dini nëse ndodh. Ai e di përgjigjen”.
Presidenti amerikan shmangu shpjegimet e mëtejshme, duke thënë vetëm:
“Nuk mund t’i zbuloj sekretet e mia. Pala tjetër e di”.
Sipas tij, Xi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë deklaruar “hapur” se “ne nuk do të bënim kurrë asgjë për sa kohë që Trump është president”, sepse, siç tha ai, “ata i dinë pasojat”.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara, megjithëse zyrtarisht njohin vetëm Pekinin, i furnizojnë Tajpeit pajisje mbrojtëse.
Çështja e Tajvanit mbetet një pikë tensioni në marrëdhëniet Uashington-Pekin, megjithëse takimi midis dy udhëheqësve duket se u dominua nga diskutimet rreth çtensionimit të luftës tregtare midis dy superfuqive.


