Trump heq dorë nga tarifa 20% në Ngushticën e Hormuzit: E hapur për të gjithë, përveç Iranit

Presidenti Donald Trump është tërhequr nga propozimi i tij për një tarifë prej 20% për anijet që përdorin zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan shkruan se do të mbetet në fuqi bllokada ndaj porteve iraniane, të cilën ai kishte kërcënuar ta rivendoste nga ora 21:00 sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar sonte.
Por ai tha se do ta zëvendësonte atë që e quajti një “Tarifë Rimbursimi prej 20% të Shteteve të Bashkuara” me marrëveshje tregtare dhe investimi me shtetet e Gjirit në rajon.
“Nafta po rrjedh si kurrë më parë, falë Fuqisë së Mrekullueshme të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Një përshëndetje e veçantë për Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, Kryetarin e Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, dhe Komandantin e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Admiralin Brad Cooper.
Falë tyre, dhe të gjithë anëtarëve të Ushtrisë më të Fuqishme kudo në botë, Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë përveç Iranit dhe kjo për shkak të udhëheqjes së tyre gënjeshtare, të dhunshme dhe dashakeqe, e cila po i çon ata në rrugën e shkatrrimit. Prandaj, nuk do të kemi një bllokadë të plotë, por vetëm për anijet që vijnë nga dhe drejt porteve iraniane, ose që transportojnë çdo gjë që ka të bëjë me ngarkesën iraniane.
Bazuar në biseda shumë produktive me udhëheqjen e Lindjes së Mesme, kam vendosur të zëvendësoj Tarifën e Rimbursimit prej 20% të Shteteve të Bashkuara me Marrëveshje Tregtare dhe Investimesh që Shtetet e ndryshme të Gjirit do të bëjnë në Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar ai në Truth Social.


