Siçilia po digjet nga zjarret, vatra të mëdha edhe në Francë dhe Spanjë. Evakuohen mijëra banorë

Siçilia është kthyer në një nga zonat më të prekura nga zjarret në Itali, ndërsa temperaturat mbi 40 gradë Celsius, erërat e forta dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Në ishullin italian, disa vatra kanë përfshirë zona me bimësi, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët.
Përballë situatës së rënduar janë angazhuar mijëra zjarrfikës, ekipe të mbrojtjes civile dhe mjete ajrore.
Në provincën e Palermos me shumë se 100 persona janë detyruar të largohen përkohësisht nga banesat.
Situata është kritike edhe në Francë, ku një zjarr i fuqishëm në jugperëndim të vendit ka detyruar më shumë se 10 mijë persona të zhvendosen nga shtëpitë.
Flakët kanë përfshirë rreth 2 mijë hektarë tokë pranë zonës së Gjirit të Arkashonit, ndërsa rreth 500 zjarrfikës janë angazhuar në terren. Deri tani nuk janë raportuar viktima, por autoritetet e kanë cilësuar situatën shumë të vështirë.
Spanja gjithashtu vijon betejën me një nga zjarret më të mëdha të vitit. Flakët massive në provincën Guadalajara kanë djegur rreth 32 mijë hektarë tokë, ndersa zjarrfikësit po punojnë për të vënë nën kontroll situatën.
Europa jugore po përballet me një nga episodet më të vështira të zjarreve të këtij sezoni.