Shirat e rrëmbyeshëm godasin Kinën, 30 të vdekur në Pekin, mbi 80 mijë të evakuuar

Kina po përballet me një tjetër fatkeqësi natyrore, teksa shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet masive në veri të vendit kanë shkaktuar të paktën 30 viktima në kryeqytetin Pekin. Autoritetet kanë shpallur alarmin më të lartë të emergjencës për përmbytje.
Që prej së shtunës, mbi 80 mijë banorë janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë të paktën deri në mesditën e sotme. Situata mbetet kritike, me dhjetëra rrugë të mbyllura dhe më shumë se 130 fshatra pa energji elektrike, sipas raportimeve të gazetës Beijing Daily.
Kryeqyteti kinez nuk është i huaj për përmbytje të tilla. Kujtojmë se në korrik 2012, 190 mm shi përmbytën Pekinin brenda një dite, duke marrë jetën e 79 personave. Edhe në vitin 2023, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan 33 viktima dhe lanë 18 persona të zhdukur.
Autoritetet janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar pasoja të mëtejshme në zonat më të prekura.


