Shfaqje force nga Pheniani, Kim Jong Un mbikëqyr testet e anijes së re luftarake (VIDEO)

Kim Jong Un ka mbikëqyrur provat detare të anijes së re luftarake “Kang Kon”, duke sinjalizuar përshpejtimin e planeve të Phenianit për forcimin e kapaciteteve detare dhe bërthamore të vendit.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, Kim vizitoi shkatërruesin 5,000-tonësh për të vlerësuar aftësitë e tij operacionale. Në pamjet e publikuara nga mediat shtetërore, ai shfaqet i shoqëruar nga vajza e tij adoleshente, Kim Ju-ae, prania e së cilës në daljet publike ka nxitur spekulime për një rol të mundshëm udhëheqës në të ardhmen.
Gjatë inspektimit, Kim deklaroi se marina e Koresë së Veriut duhet të zhvillohet më shpejt për të luajtur një rol më të rëndësishëm në strategjinë e pengimit bërthamor të vendit dhe për të qenë në gjendje të godasë kundërshtarët “në çdo kohë, nën ujë ose në sipërfaqen e detit”.
North Korea’s Kim Jong Un and daughter Kim Ju Ae oversaw navigation trials of the destroyer Kang Kon on Thursday.
— Vitamvivere (@Vitamvivere) June 6, 2026
Kim stressed strengthening naval forces as part of the nuclear deterrent, praising the crew’s performance and the ship’s cruising and high-speed maneuverability.
He… pic.twitter.com/z1i8Nv3pIv
Sipas KCNA-së, modernizimi i marinës përbën një nga shtyllat kryesore të planit të ri pesëvjeçar të mbrojtjes, i cili përfshin ndërtimin e shkatërruesve më të mëdhenj të klasit 10,000 tonësh dhe zhvillimin e sistemeve të reja të armëve nënujore.

Zhvillimi vjen vetëm pak ditë para vizitës së planifikuar në Phenian të presidentit kinez Xi Jinping. Vizita shihet si një tregues i forcimit të marrëdhënieve mes Kinë dhe Koreja e Veriut.

Njoftimi për testimin e anijes luftarake erdhi gjithashtu një ditë pasi Pheniani zbuloi një strukturë të re për pasurimin e uraniumit. Gjatë vizitës në këtë objekt, Kim u zotua të rrisë aftësitë bërthamore të vendit “me ritëm eksponencial”, në një tjetër sinjal për vazhdimin e programit ushtarak të Koresë së Veriut.
“Kang Kon” është shkatërruesi i dytë i kësaj klase i prezantuar nga Pheniani. Anija ishte dëmtuar gjatë një ceremonie lëshimi në maj të vitit të kaluar në portin e Chongjin, incident që Kim e kishte cilësuar atëherë si “kriminal”. Sipas autoriteteve koreano-veriore, anija u restaurua dhe u rilançua në qershor, megjithëse ekspertë të jashtëm vazhdojnë të shprehin dyshime mbi funksionalitetin e saj të plotë.
Pheniani ka njoftuar gjithashtu planet për ndërtimin e dy shkatërruesve të tjerë 5,000-tonësh, në kuadër të strategjisë për zgjerimin e aftësive detare dhe ushtarake të vendit.


