Qeveria britanike miraton ndërtimin e super-ambasadës kineze në Londër! Çfarë rrezikon ngritja e saj?

Planet për ndërtimin e një ambasade gjigante kineze në Londër janë miratuar nga qeveria britanike, pas vitesh debatesh dhe shqetësimesh lidhur me rreziqet e mundshme për sigurinë.
Sekretari për Strehimin, Steve Reed, deklaroi se vendimi është tashmë përfundimtar, përveç rastit kur kundërshtohet me sukses në gjykatë.
Kina e bleu truallin ku parashikohet të ndërtohet ambasada e re, në Royal Mint Court, pranë Kullës së Londrës, për 255 milionë paund në vitin 2018.
Vendimi për miratimin e projektit ka qenë nën vëzhgim të rreptë për shkak të shqetësimeve mbi implikimet e sigurisë, që lidhen me vendndodhjen, madhësinë dhe dizajnin e kompleksit. Me një sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrorë, objekti do të ishte ambasada më e madhe në Evropë nëse ndërtohet.
Vendndodhja e truallit është pranë kabllove me fibra optike që transmetojnë komunikime drejt dhe nga institucionet financiare të Londrës.
Janë ngritur shqetësime se operativë kinezë mund të shfrytëzojnë këtë afërsi për të përgjuar komunikimet.
Pyetje të tjera mbi natyrën e kërcënimit që paraqet Pekini u ngritën edhe vitin e kaluar, pas rrëzimit të çështjes gjyqësore ndaj dy personave të akuzuar për spiunazh në favor të Kinës.
Raporti i inspektorit të planifikimit urban, i publikuar sot, thekson dy herë se vendimet për ambasadat duhet të jenë “neutrale ndaj shteteve”.
“Nuk është e mundur të diskriminohet një përdorim mbi bazën e përdoruesit të parashikuar”, thuhet në raport, duke paralajmëruar se përndryshe do të krijohej një situatë e papranueshme ku ambasada e një shteti do të lejohej, ndërsa ajo e një shteti tjetër do të refuzohej.
Më tej, raporti nënvizon se çdo kundërshtim etik apo i ngjashëm ndaj ndërtimit të një ambasade për një vend të caktuar nuk mund të konsiderohet si kriter i vlefshëm në procesin e planifikimit.
“Nuk do të ishte e ligjshme të refuzohej leja thjesht sepse bëhet fjalë për një ambasadë kineze. E njëjta gjë do të vlente për çdo vend tjetër që kërkon të ndërtojë ambasadë përmes sistemit të planifikimit urban”, thuhet në raport.


