OBSH apelon për vendet e varfëra: Nevojë urgjente për 10 milionë doza vaksinash

Bota

OBSH apelon për vendet e varfëra: Nevojë urgjente për 10

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dhurojë vaksina të COVID-19 për vendet me të ardhura më të ulëta, duke përmendur nevojën urgjente për 10 milionë doza për një program të shpërndarjes së vaksinave të mbështetur nga OBSH-ja.

“COVAX është gati të shpërndajë, por ne nuk mund të shpërndajmë vaksina që nuk i kemi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale shtypi nga Gjeneva. COVAX, nisma për qasje globale ndaj vaksinës COVID-19, synon të sigurojë shpërndarje të barabartë të vaksinës në të gjithë botën, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

OBSH apelon për vendet e varfëra: Nevojë urgjente për 10

“Marrëveshjet bilaterale, ndalimet e eksportit dhe nacionalizmi i vaksinave kanë shkaktuar shtrembërime në treg me pabarazi të mëdha mes kërkesës dhe ofertës”, tha zoti Tedros. “Dhjetë milionë doza nuk janë shumë dhe nuk janë as të mjaftueshme.”

Thirrja e zotit Tedros vjen pasi India, një furnizues kryesor i programit të ndarjes së vaksinave COVAX të agjencisë, tha se po i jepte përparësi nevojave lokale.

Drejtori i OBSH-së tha se masa e Indisë ishte “e kuptueshme” duke pasur parasysh numrin në rritje të infeksioneve atje. Ai tha se bisedimet ishin në proces me Indinë për të gjetur një ekuilibër midis nevojave lokale dhe atyre ndërkombëtare.

India tha të premten se vendosi një rekord prej më shumë se 59,000 rastesh të reja në 24-orë.
Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, 181 vende nënshkruan një deklaratë politike ku bëhet thirrje që vaksinat COVID-19 të trajtohen si një e mirë publike globale, duke siguruar qasje të përballueshme, dhe të drejtë për të gjithë.


COVAX deri më tani ka shpërndarë më shumë se 31 milionë doza të vaksinave në 57 vende.
Qendra Johns Hopkins njoftoi të shtunën herët se ka më shumë 126 milionë infeksione globale të COVID-19. Qendra kërkimore përpunon të dhënat e saj vazhdimisht dhe siguron të dhëna për ekspertët

Sipas qendrës, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë raste sesa çdo vend tjetër, me më shumë se 30.1 milionë infeksione, pasuar nga Brazili, me 12.4 milionë dhe India, me 11.9 milionë raste.

 

ME TE LEXUARAT