“Nuk kam më jetë”, aktori i nënshtrohet eutanazisë, vdes në moshën 43-vjeçare

Aktori dhe regjisori francez Arnaud Denis ka ndërruar jetë të martën, më 22 shtator, në Belgjikë, pas një procedure eutanazie. Denis, 43 vjeç, vuante prej dhimbjeve të forta dhe invaliditetit të rëndë pas vendosjes së një implanti për trajtimin e hernies inguinale. Lajmin e konfirmoi avokati i tij, Philippe Courtois, për Agjencinë France-Presse.
Denis ishte operuar më 17 korrik 2023 për një hernie në anën e djathtë të ijeve, ku iu vendos një protezë prej polipropileni. Sipas avokatit, pas ndërhyrjes gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm, duke i shkaktuar dhimbje të vazhdueshme dhe humbje të rëndë të autonomisë.
Aktori kishte krijuar gjithashtu kolektivin “Victimes françaises des prothèses de hernies”, i cili mbledh dëshmi të pacientëve francezë që pretendojnë se kanë pasur pasoja të padëshiruara nga implantet e përdorura për trajtimin e hernieve.

Në janar të këtij viti, Denis kishte bërë publike dëshirën e tij për t’i dhënë fund jetës, duke deklaruar se nuk mund të dilte më nga shtëpia dhe se mjekët nuk kishin më trajtime për t’i ofruar. Sipas avokatit, vendimi për eutanazinë u mor pas konsultimeve me tre mjekë në Namur të Belgjikës.
Denis kishte bërë më herët një kallëzim për “plagosje të pavullnetshme”, por çështja u pushua në fund të gushtit për shkak të mungesës së elementeve të mjaftueshme për të karakterizuar veprën penale. Avokati i tij ka paraqitur tashmë një kallëzim të ri, këtë herë me kërkesën për hapjen e një hetimi gjyqësor, ndërsa ka deklaruar se do të vijojë të mbështesë familjen e aktorit.
I formuar në teatrin francez dhe i diplomuar në traditën e shkollës së Jean-Laurent Cochet, Arnaud Denis ndërtoi një karrierë të rëndësishme si aktor dhe regjisor. Ai themeloi trupën teatrale “Les Compagnons de la chimère” dhe u vlerësua për disa prej regjisurave të tij, ndërsa shfaqja “Les Liaisons dangereuses” u nominua katër herë për çmimet Molière në vitin 2025.


