Një moment i pazakontë në BE, foshnja 3-muajshe ulet në tryezën e ministrave

Bota

Një moment i pazakontë në BE, foshnja 3-muajshe ulet në

Një incident i pazakontë është regjistruar gjatë një mbledhjeje të ministrave të Bashkimit Evropian për politikat klimatike, kur në tryezën e negociatave u shfaq një foshnjë tre muajshe, duke surprizuar pjesëmarrësit.

Foshnja, e quajtur Adam, u soll në mbledhjen e zhvilluar në Luksemburg nga ministrja suedeze për Politikat Klimatike, Romina Pourmokhtari. Sipas saj, ky veprim kishte për qëllim të nxirrte në pah përfitimet e politikave të lejes prindërore, të cilat nuk i detyrojnë gratë të zgjedhin mes karrierës dhe familjes.

Ministrja shpjegoi se prania e djalit të saj në takim synonte të demonstronte në praktikë se amësia nuk duhet të jetë pengesë për angazhimin profesional. Ajo theksoi se kjo bëhet e mundur edhe falë mbështetjes së një partneri që merr pjesë aktive në përgjegjësitë familjare.

Një zëdhënës i Këshillit të Bashkimit Evropian konfirmoi se, sipas të dhënave të disponueshme, kjo është hera e parë që një foshnjë merr pjesë në një mbledhje të ministrave të BE-së.

Ministrja suedeze, 30 vjeçe, ishte personi më i ri në historinë e Suedisë që mori një post ministror kur u emërua në detyrë në vitin 2022. Ajo është rikthyer së fundmi nga leja e lindjes, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në leje prindërore deri në zgjedhjet e ardhshme në Suedi dhe e shoqëroi në Luksemburg për t’u kujdesur për foshnjën.

Suedia zbaton një nga sistemet më të avancuara të lejes prindërore në botë. Ky sistem, i financuar përmes taksave të larta, u mundëson prindërve rreth 16 muaj leje të paguar, ku një pjesë e saj është e rezervuar ekskluzivisht për secilin prind.

Të ashtuquajturat “ditë të patransferueshme” ose “muajt e babait” janë krijuar për të inkurajuar përfshirjen më të madhe të baballarëve në rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Ministrja suedeze theksoi se politika të tilla, të kombinuara me forma fleksibël pune dhe akses në shërbime të përballueshme të kujdesit për fëmijët, ndihmojnë në uljen e lodhjes profesionale të prindërve dhe krijojnë vlerë sociale dhe ekonomike.

Gjatë mbledhjes, zëvendësministri polak i Klimës deklaroi se prania e foshnjës nuk përbënte asnjë problem, duke shtuar se “është diçka krejt normale dhe pjesë e jetës”.

ME TE LEXUARAT