Nis sulmi në Donbas

Sulmi në rajonin e Donbasit ka nisur. Kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë ukrainas, ditën e hënë.
Vadym Denysenko, këshilltar në Ministrinë e Brendshme, tha në televizionin shtetëror se “në këndvështrimin tim, sulmi i madh ka nisur tashmë”.
“Duhet të kuptojmë se nuk ka për të qenë një përsëritje e 24 shkurtit, kur nisën sulmet e para ajrore dhe ne thamë “nisi lufta”. Sulmi i madh “de-facto” sapo ka nisur”, u shpreh Denysenko.
Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë kanë thënë gjatë ditëve të fundit se kanë vëzhguar lëvizje të trupave ruse në Donbas, pas tërheqjes së trupave nga Kievi.
“Rusët po mbledhin forcat. Po dërgojnë trupat dhe pajisjet në rajonet Donetsk dhe Luhansk. E vërtetë që nuk ka pasur beteja të mëdha ditët e fundit, por në përgjithësi mund të themi se sulmi ka nisur.
Ka pasur shpërthime natën në Dnipropetrovsk, ndërsa bombardimet në Kharkiv kanë vazhduar”, shpjegoi këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase.