Netanyahu vizitë në Shtëpinë e Bardhë/ Nga kritikat e Trump te qëllimi i takimit, çfarë dihet deri tani

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë vetëm pak çaste pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u largua nga takimi me presidentin amerikan, Donald Trump.
Takimet e njëpasnjëshme zhvillohen në një ditë me rëndësi të veçantë diplomatike për Uashingtonin, ku Trump po diskuton veçmas me dy liderët çështjet më të nxehta të politikës së jashtme amerikane. Me Zelenskyn, fokusi ishte lufta në Ukrainë, mbështetja ushtarake amerikane dhe përpjekjet për avancimin e procesit diplomatik me Rusinë. Ndërkohë, në takimin me Netanyahun pritet të dominojnë zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë Iranin, Gazën dhe bashkëpunimin strategjik SHBA-Izrael.
Vizitat e dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë zhvillohen gjithashtu në kuadër të pranisë së tyre në Uashington për ceremonitë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham.
Më herët presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi publikisht kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të dytën ditë radhazi, vetëm pak orë përpara takimit të tyre të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se Netanyahu duhej t’i kishte shprehur privatisht shqetësimet lidhur me objektin bërthamor nëntokësor të Malit Pickaxe në Iran, në vend që ta ngrinte çështjen publikisht.
Sipas Trump, komentet e Netanyahut dukeshin si një përpjekje për të bindur Uashingtonin që të mbetej i përfshirë në konfliktin me Iranin.
“Nuk kam nevojë që Bibi të më tregojë”, deklaroi Trump, duke shtuar se SHBA-ja është plotësisht në dijeni të zhvillimeve në objekt dhe se “e di saktësisht se çfarë po ndodh”.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do ta “heqin shumë lehtë” objektin në fjalë nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin.
Deklaratat vijnë një ditë pasi Trump hodhi poshtë kundërshtimet e raportuara të Netanyahut ndaj shitjeve të armëve amerikane për Turqinë. Duke iu përgjigjur kritikave nga Izraeli, Trump mbrojti Turqinë si një aleat të rëndësishëm të SHBA-së, e cilësoi presidentin Recep Tayyip Erdoğan si mik dhe theksoi se askush nuk do t’i diktojë administratës së tij se çfarë pajisjesh ushtarake mund t’i shesë Ankarasë.


