Në kërkim për kultivim droge, arrestohet 21-vjeçari në Malësinë e Madhe, në kërkim 4 të tjerë

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 21-vjeçar, i shpallur në kërkim për kultivim droge. Policia njofton se ky, në bashkëpunim kultivonte drogë në faqen e malit në një zonë të pyllëzuar. Policia ka evidentuar kanabisin dhe e ka asgjesuar.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: A.L., 21 vjeç, banues në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim , në formën e një grupi kriminal, pasi në vendin e quajtur pylli i Rrihnave, në fshatin Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Malësi e Madhe, në faqen e malit në një zonë të pyllëzuar, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe asgjësuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, ku dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas në bashkëpunim me katër shtetas të tjerë ku vijon puna intensive për identifikimin , kapjen dhe arrestimin e tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”,“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Moskallezim i krimit” dhe “Grup i strukturuar kriminal””, njofton policia.


