Ndryshim i madh në drejtimin e Spotify, themeluesi Daniel Ek largohet nga posti i CEO

Një ndryshim i rëndësishëm në drejtimin e Spotify u njoftua të martën, pasi themeluesi Daniel Ek do të largohet nga posti i drejtorit ekzekutiv (CEO) dhe do të marrë rolin e kryetarit ekzekutiv të kompanisë.
Në vend të tij, Gustav Söderström dhe Alex Norström do të marrin drejtimin e përbashkët të platformës si CEO të rinj, duke filluar nga 1 janari 2026.
Kompania me seli në Stokholm bëri të ditur se kjo lëvizje formalizon një realitet që ekziston që nga viti 2023, pasi Söderström dhe Norström kishin marrë prej kohësh në dorë drejtimin strategjik dhe operacional të Spotify.
Daniel Ek u shpreh se kishte transferuar gradualisht përgjegjësitë e përditshme dhe drejtimin strategjik te dy bashkëpunëtorët e tij kryesorë.
“Kjo ndryshon vetëm formalisht atë që tashmë është duke ndodhur në praktikë,” deklaroi ai, duke shtuar se në rolin e ri do të përqendrohet më shumë në zhvillimin afatgjatë të kompanisë.
Ai theksoi se roli i tij si kryetar ekzekutiv nuk do të jetë ceremonial, duke sqaruar se në Evropë ky pozicion përfshin një angazhim aktiv në drejtimin e kompanisë dhe përfaqësimin e saj përballë aktorëve institucionalë dhe qeverive.
Ek shprehu gjithashtu besim të madh për të ardhmen e Spotify, duke përmendur mundësi të mëdha rritjeje në tregje si Azia dhe Afrika, ku muzika përmes streaming-ut është ende në faza fillestare, si dhe në përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale (AI).
“Do të vazhdoj të shtyj përpara vizionin që të fokusohemi te e ardhmja,” theksoi ai.
Që nga themelimi i saj rreth dy dekada më parë, Spotify ka transformuar rrënjësisht industrinë muzikore, duke vendosur modelin e streaming si normë globale.
Sot, platforma numëron mbi 700 milionë përdorues, me një bibliotekë që përfshin më shumë se 100 milionë këngë, 7 milionë podkaste, dhe rreth 350 mijë tituj audiolibrash.


