Mesazh urimi dhe sinjal politik, Netanyahu i premton Trumpit forcim të aleancës SHBA-Izrael

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka përcjellë një mesazh urimi presidentit amerikan Donald Trump me rastin e ditëlindjes së tij të 80-të, duke vlerësuar lidershipin e tij dhe rolin që ka luajtur në arenën ndërkombëtare.
Përmes një postimi publik, Netanyahu u shpreh se kjo ditëlindje vjen në një periudhë të rëndësishme dhe pozitive, ndërsa i uroi Trumpit shëndet, energji dhe sukses në drejtimin e Shteteve të Bashkuara.
“Paqja përmes forcës” ishte mesazhi kryesor i kryeministrit izraelit, i cili theksoi se bashkëpunimi strategjik mes Izraelit dhe SHBA-së do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.
Deklarata e Netanyahut vjen në një moment kur raportimet e mediave amerikane kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e dy liderëve lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Sipas Axios, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar javën e kaluar, Trump i ka kërkuar Netanyahut të tregojë kujdes për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve me Iranin.
Raporti sugjeron se presidenti amerikan ka paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë një konflikt i ri në rajon, megjithëse as Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e kryeministrit izraelit nuk kanë komentuar publikisht mbi përmbajtjen e bisedës.
Pavarësisht spekulimeve për dallime në qasjen ndaj situatës rajonale, mesazhi i urimit nga Netanyahu shihet si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe partneritetit strategjik mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.