“Mendova se me Trump do kisha marrëdhënie të mira”, Meloni për New York Times: Gjërat dolën ndryshe, por…

Bota

“Mendova se me Trump do kisha marrëdhënie të mira”,

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se kishte menduar se marrëdhënia me presidentin amerikan Donald Trump do të ishte më e lehtë, për shkak të pikëpamjeve të përbashkëta për çështje si imigracioni dhe kultura.

Në një intervistë për “New York Times”, Meloni tha se pavarësisht vështirësive në marrëdhënien me Trump, ajo vijon të besojë se uniteti i Perëndimit është me rëndësi themelore.

“Unë nuk e vendos strategjinë kombëtare të Italisë bazuar në marrëdhëniet e mia personale”, u shpreh kryeministrja italiane.

Meloni foli edhe për mënyrën se si e ka ndërtuar karrierën e saj politike, duke theksuar se i imponon vetes disa rregulla, mes tyre edhe atë që të mos thotë diçka që nuk e beson.

“Unë jam një person që i imponoj vetes rregulla të caktuara. E para është se nuk them kurrë diçka që nuk e besoj”, tha ajo, duke shtuar se askush nuk mund ta detyrojë të veprojë kundër këtij parimi.

E pyetur për periudhën e diktaturës fashiste në Itali, Meloni e cilësoi atë si “një periudhë qartësisht komplekse”. Sipas saj, mënyra se si vlerësohen ngjarjet historike mund të ndryshojë në varësi të perspektivës dhe kohës në të cilën ato përjetohen.

Duke folur për karrierën e saj politike dhe fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Meloni tha se arriti në këtë pikë pasi zgjodhi të shkonte kundër rrymës dhe të mbante anën më të pakëndshme të historisë.

“Mendoj se arrita deri këtu sepse pata guximin të mbaja anën më të pakëndshme të historisë, sepse zgjodha të shkoja kundër rrymës. Ndoshta isha personi i duhur, në kohën e duhur”, deklaroi Meloni.

ME TE LEXUARAT