“Të pyeten qytetarët!” / Cërriku kërkon referendum lokal kundër shkrirjes me Bashkinë e Elbasanit

Reforma e re territoriale ka rikthyer debatet në Këshillin Bashkiak të Cërrikut, ku mbledhja e radhës është shoqëruar me diskutime dhe kundërshtime lidhur me propozimin për bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Elbasanit.
Këshilltarë të majtë dhe të djathtë janë shprehur kundër një skenari të tillë, duke argumentuar se shkrirja e Bashkisë së Cërrikut dhe përfshirja e saj në një njësi më të madhe administrative mund të sjellë pasoja për qytetarët, veçanërisht për sa i përket aksesit në shërbime.
Sipas tyre, largimi i shërbimeve administrative nga komuniteti do ta vështirësonte marrjen e shërbimeve nga banorët e zonës, ndërsa në planin afatgjatë mund të ndikonte edhe në rritjen e emigrimit dhe shpopullimit.
Debati është përqendruar edhe te mënyra se si po zhvillohet konsultimi me komunitetin. Disa prej këshilltarëve i kanë konsideruar dëgjesat publike të vonuara dhe thjesht formale, duke argumentuar se qytetarët duhet të ishin pyetur që në fazat e para të procesit.
Në këtë kuadër është hedhur edhe ideja e zhvillimit të një referendumi lokal, në mënyrë që qëndrimi i banorëve për të ardhmen administrative të Cërrikut të shprehet drejtpërdrejt.
Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka, ka preferuar të mos japë një qëndrim përfundimtar për propozimin e shkrirjes së bashkisë që ai drejton, duke theksuar se procesi duhet të vijojë me dëgjesat publike dhe konsultimin me qytetarët.
Doka ka nënvizuar se fillimisht duhet të dëgjohet zëri i komunitetit dhe vetëm pas përfundimit të këtij procesi mund të ketë një qëndrim të plotë dhe të argumentuar mbi reformën territoriale.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Cërrikut u ndoq edhe nga deputetët e opozitës, Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja, të cilët kanë shprehur kundërshtimet e tyre lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi.
Deputeti i PD-së, Blendi Himçi, i është drejtuar kryetarit të Bashkisë Cërrik, duke i kujtuar se, bazuar edhe në rekomandimet paraprake të Komisionit të Reformës Territoriale, ai duhet të jetë ndër të parët që shpreh qëndrimin e institucionit që drejton.
Sipas opozitës, e ardhmja administrative e Cërrikut nuk mund të vendoset pa një konsultim real dhe gjithëpërfshirës me banorët.
Debati është shtrirë edhe te efektet që mund të ketë një bashkim i mundshëm me Elbasanin. Kundërshtarët e këtij propozimi argumentojnë se Cërriku ka specifikat e veta sociale, ekonomike dhe territoriale dhe se shkrirja e bashkisë mund të dobësojë përfaqësimin lokal.
Në përfundim të mbledhjes, pas debateve mes këshilltarëve, Këshilli Bashkiak i Cërrikut votoi me shumicë votash pro zhvillimit të dëgjesave publike me komunitetin.
Ky vendim hap rrugën për një fazë të re konsultimi, ku banorët pritet të shprehin qëndrimin e tyre mbi propozimin e reformës territoriale.


