Luftanija britanike zbraps sulmin e rebelëve Huthi

Bota

Luftanija britanike zbraps sulmin e rebelëve Huthi

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë “e patrembur” pasi anëtarët e lëvizjes rebele jemenase, Huthi, tentuan të sulmonin një luftanije britanike në Detin e Kuq.

“Dje [e shtunë, 27 janar] anija HMS Diamond me sukses ka zmbrapsur një sulm me dronë në Detin e Kuq nga Huthët që mbështeten nga Irani”, shkroi Shapps në X, që më herët njihej si Twitter.

Ai i cilësoi sulmet e vazhdueshme ndaj anijeve nga Huthët si “të patolerueshme dhe të jashtëligjshme”.

“Me dislokimin e sistemit raketor, Sea Viper, Diamond shkatërroi dronin që ishte nisur” drejt luftanijes, tha Shapps.

Nuk raportohet për të lënduar apo dëme në anijen Diamond.

Forcat e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë më 12 janar kanë kryer sulmet e para të përbashkëta, që synojnë të reduktojnë aftësitë e Huthëve për të goditur anijet që kalojnë përmes rrugës kyçe në Detin e Kuq.

Rebelët kanë thënë se sulmet e tyre ndaj anijeve janë në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës, ku Izraeli po lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Huthët nisën të shënjestronin anijet në Detin e Kuq në nëntorin e vitit të kaluar.

Uashingtoni po ashtu ka kryer sulme të njëanshme, por Huthët janë zotuar se do të vazhdojnë sulmet e tyre.

Rebelët – që janë pjesë e aleancës së bashkëpunëtorëve të Iranit kundër Izraelit dhe Perëndimit – kanë penguar tregtinë në Detin e Kuq, ku kalon rreth 12 për qind e trafikut detar ndërkombëtar.

Disa kompani të dërgesave të mallrave po shmangin ujërat e Detit të Zi dhe po përdorin rrugë më të gjata dhe më të shtrenjta përreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikën e Jugut./rel

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion