Lufta Rusi-Ukrainë/ Kievi sulmon një depo nafte që përdorej nga forcat ajrore të Kremlinit

Bota

Lufta Rusi-Ukrainë/ Kievi sulmon një depo nafte që përdorej

Ukraina deklaron se forcat e saj kanë goditur një depo ruse të naftës që i shërbente forcave ajrore të Moskës, e cila gjendej qindra kilometra larg nga kufiri që ndan dy shtetet.

Ky sulm është në serinë e sulmeve përshkallëzuese ndërkufitare që kanë kryer Moska dhe Kievi dhe që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën energjetike dhe ushtarake, pothuajse tre vjet pasi Kremlini nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Forcat ukrainase të mbrojtjes goditën një depo ruse të naftës në Engels” në rajonin e Saratovit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale.

“Duhet të theksojmë se kjo depo nafte furnizonte me karburante bazën ajrore ushtarake, Engels-2, ku gjendet aviacioni strategjik i armikut”, u shtua në njoftim.

Në deklaratat e mëhershme, zyrtarët rusë pranuan se Ukraina kishte sulmuar rajonin me dronë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 32 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë 11 mbi rajonin e Saratovit.

“Shkatërrimi i depos së naftës krijon probleme të mëdha logjistike për aviacionin strategjik rus dhe ul ndjeshëm aftësitë e tij për të sulmuar qytetet paqësore ukrainase dhe objektet civile”, tha ushtria ukrainase.

Ndërkaq, Kievi tha po ashtu se gjatë natës mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 41 dronë rusë, ndërkaq 22 të tjerë janë rrëzuar apo janë zhdukur nga radarët pas ndërhyrjes në sistemet e tyre elektronike./REL/

ME TE LEXUARAT