“Fillon si grip viral dhe me pas shkakton pneumoni dhe astma bronkiale”, mjeket bëjnë thirrje për kujdes të shtuar

Rastet e gripit dhe virozave të stinës janë rritur ndjeshëm që në fillim të vitit në qytetin e Korçës, ndërsa mjekët apelojnë për kujdes të shtuar.
Në Shërbimin Pneumo-ftiziatrik të Spitalit Rajonal të Korçës, situata është përkeqësuar për shkak të virozave të stinës, të cilat shkaktojnë probleme të shumta në rrugët e frymëmarrjes.
Shefja e Dispanserisë pranë këtij shërbimi, Diana Aliçkolli, theksoi se numri i rasteve të paraqitura ka pësuar një rritje krahasuar me muajin e kaluar.
“Është një virozë e stinës, që prek rrugët respiratore. Fillon si gjendje virale dhe pastaj kalon në pneumoni dhe astma bronkiale, ndoshta për herë të parë, nga stimulimi i virusit. Aktualisht ne kemi 35 të shtruar, që nuk është gjendje alarmante, por po të vazhdojë kështu gjendja do të kemi fluks më të madh, sepse viroza kalon tre-pesë ditë pacientët rrinë në shtëpi dhe kur ata rëndohen, vijnë te ne,” shpjegon shefja e Dispenserisë.
Mjekja thotë se nuk duhen neglizhuar simptomat e gripit dhe kërkon vlerësim të situatës nga ana e pacientëve.
“Duhet pasur shumë kujdes, sepse kjo virozë fillon si grip, jep insuficiencë respiratore, u merret fryma, me hundët e zëna, por kjo gjendje duhet vlerësuar nga mjeku specialist,” shton znj. Aliçkolli.
Aktualisht në sanatoriumin e Korçës kryhen 70-80 vizita në ditë. Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, situata e rënduar pritet të zgjasë gjithë muajin janar.


