Kongresi amerikan hap hetimet për Shërbimin Sekret pas sulmit ndaj Trump!
Kongresi po heton përgjegjësitë e Shërbimit Sekret, agjencisë në Shtetet e Bashkuara që ofron sigurinë e presidentit aktual, ish-presidentëve dhe familjeve të tyre.
Si Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe Senati kanë filluar tashmë të mbledhin informacione, dokumente dhe dëshmi për atë që ndodhi të shtunën në Butler, për shkeljet e sigurisë dhe për masat që duhet të merren në të ardhmen për të garantuar sigurinë e kandidatëve në zgjedhjet presidenciale.
Donald Trump ka mbërritur në Milwaukee për të marrë pjesë nga sot në konventën republikane. Pas mbërritjes së tij Trump doli nga avioni duke ngritur grushtin. Një gjest ikonik të cilin ai e bëri menjëherë pasi u godit nga një plumb gjatë mitingut në Pensilvani.
Donald Trump ka bërë të ditur se ka ndryshuar fjalimin që do të mbajë të enjten e 18 korrikut, kur zyrtarisht do të bëhet kandidati republikan.
Një fjalim i rishkruar pas sulmit, por edhe pas thirrjes për qetësi drejtuar kombit nga Biden i cili u kërkoi të gjithëve të “ulnin tonin”.
Ish-presidenti amerikan zbuloi se ai e kishte rishkruar plotësisht fjalimin e tij i cili "do të ishte tronditës, një nga më të pabesueshmet", shpjegoi ai.
"Sinqerisht, tani do të jetë një fjalim krejtësisht tjetër, tha ai, duke e përshkruar atë si një mundësi për të bashkuar vendin dhe madje gjithë botën".
Pas fjalimit, 100 mijë tullumbace të kuqe, të bardha dhe blu me ngjyrat kombëtare do të hidhen në inaugurim. Rreth 50,000 njerëz pritet të marrin pjesë në konferencën e mbajtur në Forumin Fiserv në qendër të qytetit Milwaukee.
Midis tyre: mbi 2400 delegatët që do të duhet të propozojnë kandidatin dhe nënkryetarin e tij; shumë gazetarë; dhe policia, duke përfshirë Shërbimin Sekret, deri në 4,500 oficerë jashtë qytetit do të jenë në ndihmë të policisë lokale.
Ata do të vijnë nga pjesa tjetër e Wisconsin-it, por edhe nga shtete të tjera për të garantuar një ngjarje, ku ish-presidenti do të mbrohet në mënyrë të veçantë. Zona është shpallur “zonë pa dron”.