Katër të vdekur e mbi 20 të lënduar nga përplasja e trenave në Çeki

Bota

Katër të vdekur e mbi 20 të lënduar nga përplasja e

Katër persona humbën jetën - në mesin e tyre dy ukrainas - dhe të paktën 20 të tjerë u lënduan pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje pas orës 23:00, përgjatë korridorit kryesor hekurudhor nga Praga drejt lindjes.

Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.

Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.

Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.

"Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit", tha Kupka.

Policia tha më vonë se po hetonte një neglizhencë të mundshme.

Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën "për shkak të shkallës së aksidentit".

Ajo këshilloi pasagjerët që të shmangin përdorimin e itinerarit gjatë gjithë ditës.

Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin Koshice, në pjesën lindore të Sllovakisë.

Sipas mediave çeke, treni po udhëtonte në Çop të Ukrainës, gjithashtu.

Zjarrfikësit arritën të zbulojnë identitetin e të gjithë pasagjerëve dhe sipas tyre askush nuk mungonte.

Të vdekurit nuk janë identifikuan ende. Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia çeke e lajmeve.

Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.

Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.

Ndërkaq pronari i RegioJet, tha se kompania e tij ishte gati të kompensonte pasagjerët./rel

ME TE LEXUARAT