Irani paralajmëron rregulla të reja për Ngushticën e Hormuzit, priten tarifa tranziti

Bota

Irani paralajmëron rregulla të reja për Ngushticën e

Ngushtica strategjike e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar, por me kushte të reja që do të përcaktohen nga Irani dhe Omani, përfshirë vendosjen e tarifave të tranzitit për anijet që kalojnë në këtë korridor jetik energjetik. Kështu deklaroi ambasadori iranian në Rusi, Kazem Jalali.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ku konflikti i vazhdueshëm ka kufizuar ndjeshëm trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë nga e cila në periudha normale kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe hidrokarbure.

“Sigurisht, kjo ngushticë do të jetë e hapur, por sipas kushteve të reja që do të përcaktohen nga autoritetet iraniane dhe omane”, deklaroi Jalali për gazetën ruse Izvestia. Sipas tij, Irani dhe Omani ofrojnë shërbime të ndryshme që lidhen me sigurinë dhe administrimin e trafikut detar në ngushticë, ndaj do të aplikohen tarifa për këto shërbime.

Megjithëse ambasadori nuk dha detaje konkrete mbi nivelin e tarifave apo mënyrën e zbatimit të tyre, deklarata ka ngjallur shqetësime në tregjet ndërkombëtare të energjisë, pasi çdo kufizim apo kosto shtesë në Hormuz mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Lufta në rajon ka reduktuar ndjeshëm qarkullimin e cisternave të naftës në këtë korridor strategjik. Edhe pse disa anije kanë arritur të kalojnë gjatë javëve të fundit, rrjedha e eksporteve energjetike mbetet shumë më e ulët krahasuar me nivelet normale.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme gjeopolitike në botë, pasi lidh Gjirin Persik me tregjet ndërkombëtare dhe shërben si rruga kryesore e eksportit për prodhuesit e mëdhenj të naftës në Lindjen e Mesme. Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndryshim në regjimin e kalimit përmes saj mund të ketë pasoja të rëndësishme për ekonominë globale dhe sigurinë energjetike.

 

 

 

ME TE LEXUARAT