“Zonat e mbrojtura nuk janë zona ushtarake”, Zamir Dedej tregon si mund të zhvillohet Zvërneci

Kjo javë pati në qendër debatin dhe kundërshtitë mbi zhvillimin e zonës së Zvërnecit, një investim prej 4 miliardë dollarësh që pritet të realizohet.
Autoritet thonë se nuk ka një projekt konkret, por ka një nisëm për zhvillimin turistik të saj. Zamir Dedej, ish-drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, gjatë një interviste për emisionin “E-Zone” tha se debati mes fanatikëve të natyrës dhe inxhinierëve për zhvillim është në mbarë botën.
“Zonat e mbrojtura nuk janë zona ushtarake, që të ndalohet të hysh apo të vësh dorë për zhvillimin e tyre. Konsiderohen zona të mbrojtura pasi kanë një veçanti natyrore që i diferencon nga zonat e tjera, ndaj dhe kujdesi për ta zhvilluar duhet të jetë edhe më i madh. Sot ne nuk dimë nëse ka një projekt konkret mbi të cilin të debatojmë. Ka një nismë për zhvillim, por nuk kemi parë projekt”, tha Dedej në emisionin “E-Zone”.
Sipas tij nuk ka një përgjigje të prerë nëse zona duhet të ruhet siç është apo duhet zhvilluar. E rëndësishme sipas tij është të gjendet një ekuilibër mes zhvillimit dhe natyrës. Por çfarë rekomandohet të ndërtohet sipas tij në Zvërnec?
“Zona në fjalë e pranon zhvillimin, por sipas meje e rekomandueshme do të ishte ndërtimi i objekteve në lartësinë e pishave të zonës, ndërsa vlerësimi i ndikimit në mjedis të jetë i kujdesshëm për të ruajtur bimësinë dhe bukuritë natyrorë të zonës”, tha Dedej.
Të dhënat flasin se 21% e territorit të vendit konsiderohet zonë e mbrojtur. /vizionplus


