"Sulmi kibernetik në aeroportet e Brukselit, Londrës dhe Berlinit: BE identifikon virusin, hetime për autorët"

Agjencia e BE-së për sigurinë kibernetike ( ENISA ) njoftoi sot (22 shtator) se problemet e vërejtura që nga e premtja në sistemet automatike të regjistrimit të aeroporteve evropiane, janë për shkak të softuerit keqdashës (ransomware), një virusi që është hedhur në sistem.
Hakerët kryen një sulm kibernetik të premten ndaj kompanisë që ofron sisteme regjistrimi dhe kontrolli pasagjerësh në shumë aeroporte evropiane – Probleme të mëdha në Heathrow, Bruksel dhe Berlin.
“Lloji i ransomware është identifikuar. Forcat e zbatimit të ligjit kanë nisur një hetim”, tha ENISA në një deklaratë.
Hakerët nisën një sulm kibernetik ndaj Collins Aerospace, e cila ofron sisteme regjistrimi dhe skanimi për pasagjerët në shumë aeroporte evropiane, të premten, duke shkaktuar probleme në aeroportin Heathrow të Britanisë – më i ngarkuari në Evropë – si dhe në ato në Bruksel dhe Berlin.
Aeroporti i Berlinit ende po operon me pengesa, ndërsa më shumë se 92,000 udhëtarë pritet të mbërrijnë sot – një numër dukshëm më i lartë se zakonisht për shkak të maratonës së mbajtur dje në kryeqytetin gjerman.
Kurse aeroporti i Brukselit njoftoi pezullimin e 50% të fluturimeve për ditën e sotme, për shkak të këtij virusi.
Më herët sot, Collins tregoi se po punon me aeroportet e prekura nga sulmi kibernetik dhe shtoi se është në fazat e fundit të përmirësimit të softuerit të saj, i cili është i nevojshëm për të rivendosur plotësisht funksionimin e saj.


