Gjykata anulon urdhërin e Trump për mbylljen e "Zërit të Amerikës"

Bota

Gjykata anulon urdhërin e Trump për mbylljen e "Zërit

Një gjykatës i një gjykate federale në Uashington ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump, që të ndalë përpjekjet që synojnë shuarjen e Zërit të Amerikës (VOA), që u mbyll muajin e kaluar.

VOA i ka cilësuar të paligjshme lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit.

Gjykatësi Royce Lamberth vendosi më 23 prill për lëshimin e një urdhri paraprak që thotë se zyrtarët duhet “të marrin të gjithë hapat e nevojshme” për të rikthyer punonjësit dhe bashkëpunëtorët në pozitat e tyre në VOA dhe që të rikthehen fondet, e miratuara nga Kongresi, për dy transmetuesit e tjerë të financuar nga Qeveria amerikane – Radio Azia e Lirë dhe Rrjeti i Transmetuesit të Lindjes së Mesme – dhe të rifillojnë transmetimet në radio, televizion dhe internet.

Lamberth, i cili po trajton gjashtë padi nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët e prekur nga mbyllja e urdhëruar nga Agjencia e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyr transmetuesit federalë, urdhëroi po ashtu mediat që të paraqesin raporte mujore mbi ecurinë, për të treguar nëse USAGM po zbaton urdhrin për të lejuar ata të “ofrojnë lajme që vazhdimisht janë të besueshme, të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse”.

USAGM nuk ka reaguar publikisht për vendimin e gjykatës.

ME TE LEXUARAT