Sulmet izraelite në jug të Libanit, të paktën 12 të vrarë

Të paktën 12 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se operacionet kundër Hezbollahut po vazhdojnë, pavarësisht armëpushimit të shpallur më herët.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, bombardimet goditën disa zona në Nabatia dhe Marjayoun, mes viktimave edhe dy fëmijë.
Në një tjetër sulm u vra edhe një anëtar i ekuipazhit të ambulancës së Komitetit Islamik të Shëndetit, organizatë e lidhur me Hezbollahun, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur.
Sulmet ndodhën në një kohë kur një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit konfirmoi se më 14 dhe 15 maj në Uashington do të zhvillohen bisedime mes Libanit dhe Izraelit për të hapur rrugën drejt negociatave për paqe.
Dy takime në nivel ambasadorësh janë zhvilluar tashmë në prill, ndërsa SHBA njoftoi më pas një armëpushim që teorikisht hyri në fuqi më 17 prill.
Megjithatë, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vijuar.
Vetëm një ditë më parë, 11 persona të tjerë u raportuan të vrarë në sulme izraelite në jug dhe lindje të Libanit.
Ndërkohë, Izraeli goditi edhe periferinë jugore të Bejrutit, bastion i Hezbollahut, ku sipas kryeministrit Benjamin Netanyahu u eliminua një zyrtar i lartë i grupit.
Sipas autoriteteve libaneze, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 2,700 viktima, më shumë se 8,200 të plagosur dhe mbi një milion të zhvendosur.


