KE mbyll hetimet, lirohet nga akzuat për spiunazh Oliver Varhelyi

Bota

KE mbyll hetimet, lirohet nga akzuat për spiunazh Oliver Varhelyi

Komisioni Evropian ka mbyllur hetimin mbi një rrjet të dyshuar spiunazhi hungarez në Bruksel, duke liruar nga çdo dyshim komisionerin hungarez Oliver Várhelyi.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi i brendshëm nuk gjeti prova që implikonin personalisht Várhelyin apo anëtarë të tjerë të stafit të Komisionit Evropian në aktivitetet e dyshuara të inteligjencës.

Çështja lidhej me raportimet e publikuara në tetor, ku pretendohej se Përfaqësia e Përhershme e Hungarisë në BE kishte drejtuar një rrjet oficerësh inteligjence të maskuar si diplomatë gjatë viteve 2012-2018.

Sipas raportimeve, ata synonin të siguronin informacione sensitive mbi Hungarinë dhe të rekrutonin zyrtarë hungarezë që punonin në institucionet europiane.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Balazs Ujvari, deklaroi se hetimi nuk gjeti prova që ndonjë zyrtar të ishte rekrutuar.

Várhelyi ishte pjesë e hetimit pasi shërbeu si ambasador i Hungarisë në BE nga viti 2015 deri në 2019, periudhë që përkonte me aktivitetet e dyshuara.

Ai kishte mohuar më herët çdo lidhje me rastin.

Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm politik, vetëm një ditë para marrjes së detyrës nga kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar.

Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit mbeten të tensionuara prej vitesh për çështje që lidhen me sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.

 

 

ME TE LEXUARAT