E rëndë në Itali, 35-vjeçari vritet dhe copëtohet nga nëna dhe partnerja e tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Gemona del Friuli, pranë Udines, në Italinë verilindore, ku një burrë 35-vjeçar është vrarë dhe më pas është copëtuar nga nëna dhe partnerja e tij.
Viktima është Alessandro Venier, i cili punonte në një spital lokal. Trupi i tij u gjet i copëtuar, i futur në një kosh plehrash brenda shtëpisë dhe i mbuluar me gëlqere të pashuar, në një përpjekje për të fshehur erën e trupit të pajetë.
Të dyshuara për këtë krim të rëndë janë nëna e tij, Lorena Venier, 61 vjeç, një infermiere, dhe e dashura kolumbiane, 30 vjeçe. Sipas hetimeve paraprake, dy gratë dyshohet se e kanë droguar dhe më pas e kanë prerë në copa me një sëpatë.

Alessandro jetonte në të njëjtën shtëpi me partneren dhe vajzën e tyre gjashtëmuajshe, e cila tani është marrë nën kujdes nga shërbimet sociale. Kryetari i bashkisë, Roberto Revelant, deklaroi:
“Asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në qytetin tonë. Është një ngjarje tronditëse. Jemi të zemërthyer.”
Ai shtoi se viktima kishte ëndërruar të transferohej një ditë në Kolumbi. Nga të dhënat paraprake rezulton se babai i Alessandro-s, me origjinë egjiptiane, kishte braktisur familjen menjëherë pas lindjes së tij, dhe ai ishte rritur vetëm nga nëna.
Policia ndërhyri në banesë pas një telefonate të dyshimtë – që sipas mediave mund të jetë bërë nga njëra prej grave – duke çuar në arrestimin e menjëhershëm të tyre. Ato ndodhen aktualisht në komisariat dhe po merren në pyetje nga hetuesit.
Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ngrihen zyrtarisht akuzat penale për vrasje makabre dhe shkatërrim të kufomës ndaj dy grave. Hetimet janë në vijim.


