“Bonusi i Bebes” ka ndihmuar mbi 237 mijë familje që prej vitit 2019 – Rama publikon shifrat

Programi social “Bonusi i Bebes”, i nisur nga qeveria shqiptare në janar të vitit 2019, ka mbështetur deri më tani mbi 237 mijë fëmijë të lindur në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ndau shifrat zyrtare të përfituesve.
“Më shumë se 237 MIJË fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019, duke mbështetur familjet e reja me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për të dytin dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë,” shkruan Rama, duke e cilësuar këtë si një politikë të qëndrueshme për lehtësimin ekonomik të prindërve të rinj.
Bonusi i Bebes u mendua si një masë direkte financiare për të ndihmuar familjet shqiptare në momentin e lindjes së një fëmije. Programi është konsideruar nga mazhoranca si një ndër ndërhyrjet më konkrete sociale të këtyre viteve dhe është paralajmëruar të vijojë edhe në të ardhmen me të njëjtën logjikë mbështetëse.
Aktualisht, përfitimi bëhet automatikisht përmes aplikimit në platformën e-Albania apo në sportelet e shërbimeve sociale në maternitetet e vendit.


