“Dorëzoni telefonat, do të hulumtojmë”/ FBI operacion blic në Shtëpinë e Bardhë, nisin hetim për rrjedhjen e informacionit

Bota

“Dorëzoni telefonat, do të hulumtojmë”/ FBI operacion

Shtëpia e Bardhë ka zhvilluar një hetim intensiv për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit mbi mangësitë e sigurisë së një avioni të dhuruar nga Katari, i destinuar të përdoret si Air Force One.

Sipas burimeve të CNN, disa zyrtarëve federalë u është kërkuar të dorëzojnë telefonat celularë për t’iu nënshtruar verifikimeve nga hetuesit.

Hetimi u drejtua nga shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, të cilët, sipas burimeve, koordinuan personalisht operacionin nga Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Patel thuhet se kaloi rreth shtatë orë në një zyrë pranë Wiles, ku u ngrit ajo që burimet e përshkruan si një “dhomë lufte” për menaxhimin e hetimit.

Sipas CNN, Presidenti Donald Trump ishte i zemëruar pas publikimit të informacioneve mbi shqetësimet e sigurisë së avionit të ri. Si rezultat, administrata ndërmori një hetim të gjerë për të zbuluar personat përgjegjës për rrjedhjen e informacionit.

Përveç kërkesës për telefonat celularë, hetuesit morën në pyetje dhe kërkuan informacione nga zyrtarë që kishin marrë pjesë në udhëtimet presidenciale ose ishin përfshirë në organizimin e tyre. Megjithatë, jo të gjithë pranuan të dorëzonin pajisjet e tyre.

Raportimet tregojnë se të paktën një agjenci federale u dërgoi punonjësve udhëzime që, nëse kontaktoheshin nga agjenci të tjera për informacion ose pajisje, të njoftonin menjëherë zyrën ligjore të institucionit.

Hetimi u bë publik pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi fletëthirrje për katër gazetarë të gazetës The New York Times, të cilët kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin. Ky veprim është kritikuar nga organizatat për lirinë e shtypit dhe vetë gazeta, e cila ka njoftuar se do t’i kundërshtojë fletëthirrjet në gjykatë.

Në qendër të debatit është avioni Boeing 747, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari për përdorim presidencial. Fillimisht, Trump kishte planifikuar ta përdorte gjatë një udhëtimi ndërkombëtar, por më pas u kthye në përdorimin e avionit më të vjetër presidencial.

Sipas burimeve të CNN, vlerësimet e sigurisë ndryshuan gjatë udhëtimit dhe u konstatua se avioni i ri, megjithëse ishte pajisur me disa sisteme mbrojtëse, nuk ofronte ende të njëjtin nivel sigurie si Air Force One ekzistues.

Burime nga ushtria dhe Shërbimi Sekret e kanë cilësuar avionin e ri si të futur në përdorim me nxitim, ndërsa avionët e rinj presidencialë të porositur më herët pritet të hyjnë në shërbim jo më parë se viti 2028, për shkak të instalimit të sistemeve të avancuara të komunikimit dhe mbrojtjes.

ME TE LEXUARAT