Drejtoresha e Postës në Durrës i kërkoi shefes së financës 700 mijë euro dhe më pas e denoncoi, dëmi dyshohet disa miliona euro

Aktualitet

Drejtoresha e Postës në Durrës i kërkoi shefes së

Detaje të reja kanë dalë nga rasti i abuzimit me fondet e degës së Postës Shqiptare në Durrës, ku një auditim i Drejtorisë së Përgjithshme evidentoi probleme në administrimin e fondeve.

Sipas burimeve jozyrtare, ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, dyshohet se i ka kërkuar shefes së financës, Valbona Duni, një shumë prej rreth 700 mijë eurosh që ndodhej në kasafortat e filialit, me pretendimin se do të përdorej për kryerjen e disa pagesave.

Pasi vartësja ia ka dorëzuar shumën në fjalë, një ditë më vonë ajo ka bërë denoncim tek drejtoria e Përgjighshme e Postës ndaj shefes së financës për mungesën e fondeve.

Pas mbërritjes së auditit në Durrës dhe verifikimeve të kryera, dyshohet se janë zbuluar problematika të tjera lidhur me administrimin e parave.

Burimet bëjnë me dije se përveç shumës prej 700 mijë eurosh, po verifikohen edhe mungesa të tjera financiare, ndërsa dyshimet paraprake flasin për një dëm që mund të arrijë në disa milionë euro. Megjithatë, shuma përfundimtare pritet të përcaktohet nga hetimi i Prokurorisë së Durrësit.

Organi i akuzës ka nisur hetimet për të zbardhur destinacionin e fondeve dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Sipas burimeve, priten zhvillime të reja në ditët në vijim, përfshirë edhe masa të mundshme ndaj personave të dyshuar.

Ndërkohë, pas konstatimit të shkeljeve, Elisabeta Mataj është shkarkuar nga detyra e drejtoreshës së Postës së Durrësit, ndërsa të njëjtën masë administrative ka marrë edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni.

Posta Shqiptare ka deklaruar më herët se ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, duke vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

ME TE LEXUARAT