Denoncimi për zgjedhjet në Rusi, pretendime për manipulim të votave, fletët e votimit në favor të Putin

Bota

Denoncimi për zgjedhjet në Rusi, pretendime për manipulim të
Zgjedhjet parlamentare në Rusi kanë nisur mes akuzave për parregullsi dhe manipulim të procesit, ndërsa në disa zona janë raportuar fletë votimi të shënuara paraprakisht në favor të partisë së Vladimir Putinit, “Rusia e Bashkuar”.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, vendi ka nisur një proces votimi tre ditor, në zgjedhjet e para parlamentare të zhvilluara gjatë pushtimi të Ukrainës. Procesi zhvillohet në një klimë ku opozita është praktikisht e kufizuar dhe dominimi politik i Kremlinit shihet si i sigurt nga kritikët e qeverisë.

Oleg Mikhailov, kandidat i Partisë Komuniste, pretendoi se në qytetin Syktyvkar votuesve u ishin dhënë fletë votimi ku ishte vendosur paraprakisht një shenjë në favor të “Rusisë së Bashkuar”.

Ndërkohë, pamje të publikuara nga zona të ndryshme të Rusisë kanë ngritur pikëpyetje të tjera mbi procesin. Në Voronezh, një burrë u filmua duke futur disa fletë votimi në kutinë e votimit, ndërsa në Shën Petërburg një punonjës i qendrës së votimit u filmua duke futur me forcë rreth 100 fletë votimi në kuti.

Raportimet flasin gjithashtu për probleme me vulat e sigurisë në disa kuti votimi. Në rajonin e Samarës, individë të paidentifikuar janë parë duke u larguar me fletë votimi në dorë.

Një tjetër pretendim lidhet me punonjës të kompanive shtetërore dhe fabrikave, të cilët dyshohet se janë urdhëruar t’u dërgojnë eprorëve fotografi të fletëvotimeve të plotësuara, pasi u ishte kërkuar të votonin për “Rusinë e Bashkuar”.

Në ishullin Sahalin, qendrat lëvizëse të votimit raportohet se kanë funksionuar pa vëzhgues, ndërsa në rajonin e pushtuar të Luhanskut disa votues thanë se u ishte komunikuar se kishin votuar më herët, pavarësisht se banorët e disa fshatrave nuk ishin njoftuar për votimin e hershëm.

Procesi zgjedhor është zhvilluar gjithashtu në një klimë të tensionuar politike. Disa politikanë që kanë kundërshtuar luftën janë burgosur ose janë larguar nga vendi para nisjes së fushatës.

Në të njëjtën kohë, kërcënimet me dronë kanë ndikuar në procesin e votimit. Në Sochi, qendrat e votimit u mbyllën përkohësisht për shkak të kërcënimit për sulm me dron, ndërsa një qendër votimi në rajonin e Krasnodarit u zhvendos pasi një dron theu dritaret e godinës, sipas kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova.

Për herë të parë, zgjedhjet përfshijnë edhe banorët e katër rajoneve ukrainase të aneksuara nga Moska pas nisjes së pushtimit, ndërsa votimi zhvillohet edhe në Krime, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar votimin në territoret e kontrolluara nga Rusia si të paligjshëm dhe u kanë bërë thirrje qeverive të huaja dhe organizatave ndërkombëtare që të mos e njohin procesin. Kievi ka paralajmëruar gjithashtu se ukrainasit që marrin pjesë në organizimin e votimit mund të përballen me përgjegjësi penale.

Edhe Bashkimi Evropian e ka dënuar zhvillimin e zgjedhjeve në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, e cilësoi votimin atje “të paligjshëm”.

Sipas Wigand, mënyra se si po zhvillohen zgjedhjet tregon, sipas BE-së, për “erozionin e vazhdueshëm dhe në rritje të demokracisë në Rusi”. Ai kritikoi gjithashtu vendimin e Moskës për të mos ftuar vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke thënë se Rusia ka shpërfillur angazhimet e saj.

BE-ja ka deklaruar se do të vazhdojë të mbështesë organizatat e shoqërisë civile ruse, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat e pavarura.

ME TE LEXUARAT