Britania në alarm/ Paraliza nga botoksi i paligjshëm, dhjetëra raste urgjente

Mbretëria e Bashkuar po përballet me një shpërthim alarmant të rasteve të botulizmit, të shkaktuar nga injeksione kozmetike të paligjshme që imitojnë botoksin. Shërbimi Shëndetësor Ekzekutiv (UKHSA) ka konfirmuar 38 raste, por sipas Sky News, numri real mund të jetë shumë më i lartë.
Rasti i Nicola Fairley, e cila mori një trajtim “kundër rrudhave” të fituar në rrjetet sociale, është ndër më të rëndët. Brenda pak orësh, ajo përjetoi mpirje në fytyrë dhe përfundoi në urgjencën e spitalit me simptoma që fillimisht u dyshuan për goditje në tru. Më vonë u konfirmua se ishte një rast i pastër botulizmi – një sëmundje e rëndë që mund të shkaktojë paralizë dhe probleme të rënda në frymëmarrje.
Të tjera gra me simptoma të ngjashme janë identifikuar në të njëjtin spital, të gjitha të lidhura me injeksione jashtë kontrollit mjekësor. Sipas ekspertëve, produktet e përdorura janë të pasigurta, të importuara në mënyrë të paligjshme dhe pa asnjë standard farmaceutik.
Dr. Steven Land, mjek estetik në Newcastle, e quan situatën një rrezik, ku kushdo mund të injektojë produkte të dyshimta, pa asnjë trajnim. Ai thotë se merr rregullisht mesazhe nga shitës të paligjshëm që ofrojnë substanca potencialisht të rrezikshme për jetën.
Autoritetet britanike i kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin trajtimet kozmetike nga persona të paautorizuar dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, ndërsa hetimet për rrjetet e shpërndarjes së këtyre produkteve të rrezikshme vijojnë.


