Britania dhe Franca i hapin Ukrainës teknologjinë e “Storm Shadow”/ Zelensky kërkon forcim të kapaciteteve

Britania e Madhe dhe Franca do të ndajnë me Ukrainën teknologjinë e raketave Storm Shadow/SCALP, në një lëvizje që synon t’i mundësojë Kievit zhvillimin e kapaciteteve të veta për sulme me rreze të gjatë veprimi.
Kryeministri britanik Andy Burnham e bëri të ditur vendimin gjatë një takimi të aleatëve të Ukrainës në Kiev, duke thënë se kërkesa ishte bërë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Volodymyr Zelensky ka kërkuar tashmë që ne të ndajmë teknologjinë tonë ‘Storm Shadow’, në mënyrë që Ukraina t’i zhvillojë vetë këto kapacitete”, deklaroi Burnham, duke konfirmuar se industria britanike dhe ajo franceze do të bashkëpunojnë me Ukrainën.
Njoftimi vjen pasi Britania ka lejuar prodhuesin e raketave MBDA të publikojë informacione të klasifikuara lidhur me komponentët e prodhuar në Britani që përdoren në raketën kruiz SCALP/Storm Shadow. Qëllimi është mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për të zhvilluar prodhimin vendas.
Burnham kërkoi gjithashtu sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj zinxhirëve të furnizimit që mbështesin industrinë ushtarake ruse, si dhe masa kundër të ashtuquajturës “flotë në hije” të Moskës.
Në të njëjtin takim, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për përshpejtimin e dërgesave të raketave përgjuese për Ukrainën dhe për një qëndrim më të vendosur ndaj Rusisë.
Macron paralajmëroi gjithashtu se Moska mund të shtojë përpjekjet për të frenuar mbështetjen evropiane për Kievin.
“Rusia do të përpiqet të përshkallëzojë veprimet ndaj vendeve evropiane për t’i penguar ato të ndihmojnë Ukrainën”, deklaroi Macron, duke shprehur solidaritet me vendet që, sipas tij, janë vënë në shënjestër nga veprimet ruse.
Ai u bëri thirrje aleatëve të mos tërhiqen përballë presionit.
“Ruani qetësinë dhe vazhdoni përpara”, tha Macron.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mirëpriti nismën, duke vlerësuar se bashkëpunimi i ri do të forcojë kapacitetet e forcave të armatosura ukrainase në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse.
Vendimi shënon një tjetër hap në përpjekjet e aleatëve evropianë për t’i dhënë Ukrainës mundësi më të mëdha për prodhimin dhe përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, ndërsa lufta me Rusinë vazhdon.


