BE-ja po kërkon një rrugëdalje nga bllokadat

Bota

BE-ja po kërkon një rrugëdalje nga bllokadat

Veto, vonesa! BE nuk e ka të lehtë marrjen e vendimeve të përbashkëta në politikën e jashtme. A mund të ndryshojë kjo?

Bashkimi Evropian është detyruar në të kaluarën të marrë vendime pa Hungarinë, duke i lënë hapësirë kryeministrit konservator hungarez Viktor Orban për një “pushim për kafe”, apo duke lëshuar deklarata përfundimtare pa praninë e tij.

Megjithatë, në politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të merren vendime të përbashkëta. Sanksionet kundër Rusisë – paketa e 19-të është duke u negociuar aktualisht – duhet të miratohen nga të gjitha shtetet anëtare.

E njëjta gjë vlen edhe për politikën tatimore ose pranimin e anëtarëve të rinj të BE-së, ku një vend mund të bllokojë çdo vendim me veton e tij.

Kjo “nuk është moralisht e gabuar”, i thotë DW Nicolai von Ondarza i Fondacionit për Shkencë dhe Politikë (SWP). Këto janë “fusha kyçe të sovranitetit kombëtar”.

 Vendeve nuk u pëlqen të bëjnë kompromise kur bëhet fjalë për interesat e tyre, shpjegon politologu që kryeson grupin kërkimor të BE-së në SWP. Në Gjermani, ky është rasti, për shembull, me politikën e BE-së ndaj Izraelit.

Ondarza e konsideron problematike që Hungaria shpesh nuk interesohet për një çështje. E megjithatë, ajo përdor të drejtën e vetos për të “shantazhuar” shtetet e tjera anëtare për çështje të tjera.

Në zhargonin e BE-së, kjo quhet “veto taktike”. Orbán shpesh bllokon politikën e BE-së ndaj Ukrainës. Për shembull, rreth 6.6 miliardë euro ndihmë për Ukrainën nga Fondi Evropian i Paqes ende nuk janë lëvruar.

Vendi është gjithashtu kundër anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në BE. Hungaria, ndër të tjera, argumenton se kjo mund ta tërheqë BE-në në një luftë me Rusinë. Por qeveria hungareze në fund të fundit ka miratuar të gjitha 18 paketat e sanksioneve kundër Rusisë deri më tani.

Sipas një diplomati të BE-së, disa vende në këtë grup duan t’i zgjerojnë diskutimet në politikën tatimore, në mënyrë që të zbusin parimin e unanimitetit edhe këtu. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për një reformë të procesit të vendimmarrjes në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit në fillim të shtatorit për të shmangur bllokimet.

Në disa fusha, BE duhet të çlirohet nga “prangat e vendimmarrjes unanime” nga 27 shtetet anëtare, tha ajo.

Ndryshimi i traktatit është i (pa)mundur

Një tjetër mundësi për të zbutur parimin e unanimitetit në BE do të ishte ndryshimi i traktateve të BE-së, për shembull në kontekstin e pranimit të anëtarëve të rinj, thotë von Ondarza.

Edhe kjo do të kërkonte pëlqimin e të gjitha 27 shteteve anëtare. Politologu aktualisht e konsideron një pëlqim të tillë “politikisht të pamundur”.

Nëse shtetet anëtare zgjerojnë grupin e tyre të miqve, ato mund të ushtrojnë më shumë presion mbi vendet e tjera për të zbatuar vendimmarrjen me shumicë në një moment.

Megjithatë BE-ja ndoshta do të duhet të paguajë një çmim të lartë në të ardhmen që Hungaria të heqë dorë nga vetoja e saj e fuqishme, thotë von Ondarza.

Edhe në Bruksel, Grupi i Miqve shihet si një mjet për të ushtruar presion, tha diplomatja e BE-së për DW. Hungaria është gjithnjë e më e izoluar.

Komisioni Evropian po punon aktualisht mbi një plan për të përdorur asetet e ngrira ruse për të rindërtuar Ukrainën. Sipas një raporti të Reuters, Komisioni tashmë po shqyrton mënyra për të anashkaluar veton hungareze./DW

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion