Transformimi i Zvërnecit: Ndryshimi i statusit të mbrojtjes në vitin 2022 dhe pasojat e ndryshimeve ligjore të vitit 2024

Aktualitet

Transformimi i Zvërnecit: Ndryshimi i statusit të mbrojtjes në

Gjurma ku parashikohet të ngrihet resorti turistik në Zvërnec, është pjesë e sipërfaqes së “ekosistemit natyror/ligatinor Pishë Poro-Nartë” që aktualisht përfshihet në kategorinë V, të zonave të mbrojtura më statusin “Peizazh i mbrojtur”. 

Statusi i mëparshëm i kësaj zone, me një sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 21 mijë hektarë, kishte një shkallë më të lartë mbrojtjeje, duke u konsideruar në kategorinë IV “Rezervat natyror i menaxhuar”, e cila përjashtonte çdo lloj ndërtimi.

Ulja në nivelin V të mbrojtjes, u vendos në tetor të vitit 2022, pra të paktën 1 vit e gjysëm përpara se Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, të shpallte publikisht synimin e tij për të investuar në dy komplekse turistike në Shqipëri, një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në Zvërnec.

Nivelet e mbrojtjes përcaktohen nga ligji i vitit 2017 “Për zonat e mbrojtura”, i miratuar nga qeveria Rama 1, por që në vitin 2024, pësoi një seri amendimesh që sot janë në qendër të protestave. Pikërisht këto ndryshime kanë zgjeruar pjesërisht mundësinë e ndërtimeve edhe në zonat e kategorisë V si Zvërnec, që megjithatë, nuk ishin totalisht të përjashtuara as përpara.

Në nenin 20 që i dedikohet pikërisht “Peisazheve të mbrojtura”, pika 4, parashikon që nga 2017 se:  

“Veprimtaritë, që ndryshojnë përdorimin e territorit si ndërtimet, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territori”, Neni 20, Pika 4 Ligji për Zonat e Mbrojtura.

Me ndryshimet ligjore, të kërkuara nga një grup deputetësh socialist, e të miratuara në shkurt të vitit 2024, periudhë në të cilën, Kushner dhe Ivanka Trump, pothuajse kishin ngjizur idetë për projektet e tyre në Shqipëri, shtigjet përmes të cilave duhet të kalonte KKT-ja, thjesht u zgjeruan.

Ndonëse, pika 4 e nenit 20, nuk pësoi ndryshime, ndërhyrjet e tjera në këtë nen, përfshinin përcaktime të reja, që lejonin “veprimtari turistike/agroturistike apo veprimtari të tjera ekonomike të qëndrueshme, miqësore me biodiversitetin”, apo “ndërhyrje urbane, rekreacioni apo ekonomike”.

Por thelbi i ndryshimeve kishte të bënte me fshirjen e nenit 33 të ligjit të vitit 2017, i cili kufizonte veprimtaritë në këto zona vetëm në ato që ishin në shërbim të përmirësimit të mjedisit të tyre. Neni i ri në të kundërt, lejonte ngritjen e “strukturave akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit” apo dhe të agroturizmit”.

Ndërhyrjet në ligjin për zonat e mbrojtura do të përmenden dhe në Raport Progresin e Komisionit europian për Shqipërinë të viti 2024.

“Ndryshimet e fundit në Ligjin për Zonat e Mbrojtura u bënë pa konsultim me palët e interesuara”, thuhet në dokumentin e Brukselit, duke specifikuar më pas se këto ndryshime “tani lejojnë aktivitete si nxjerrja e ujit për ujitje dhe ndërtimi i vendpushimeve turistike brenda këtyre zonave. Ndryshime të tilla rrezikojnë të kompromentojnë vlerat ekologjike dhe të biodiversitetit të Shqipërisë, duke përfshirë vendet e mundshme Natura 2000, në kundërshtim me standardet e BE-së”.

Ndërsa në raportin e vitit pasardhës do të shkruhet se “ndryshimet legjislative të vitit 2024 në Ligjin për zonat e mbrojtura çuan në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion