BE gjobit Google me 890 milionë euro, favorizoi shërbimet e veta dixhitale ndaj konkurrentëve

Bota

BE gjobit Google me 890 milionë euro, favorizoi shërbimet e veta

Bashkimi Europian i ka vendosur Google një gjobë prej 890 milionë eurosh, pasi arriti në përfundimin se kompania ka shkelur Aktin për Tregjet Digjitale (Digital Markets Act – DMA), rregullorja që synon të kufizojë praktikat e kompanive dominuese të teknologjisë.

Përveç gjobës, Komisioni Europian i ka kërkuar kompanisë amerikane të ndryshojë mënyrën se si rendit rezultatet e kërkimit në Google Search dhe si zbaton rregullat në Play Store. Nëse nuk zbaton vendimin brenda 60 ditëve, Google mund të përballet me një procedurë të re dhe me gjoba ditore që mund të arrijnë deri në 5% të xhiros ditore globale të kompanisë mëmë, Alphabet.

Vendimi i Komisionit përfshin dy shkelje të veçanta. Gjoba më e madhe, 460 milionë euro, lidhet me mënyrën se si Google paraqet rezultatet e kërkimit. Sipas Komisionit Europian, kompania u ka dhënë përparësi shërbimeve të veta për blerje online, hotele, transport dhe sport, duke i renditur më lart se platformat rivale. Sipas autoriteteve europiane, kjo i ka vendosur konkurrentët në disavantazh.

Gjoba e dytë, në vlerën e 430 milionë eurove, lidhet me Play Store, platformën për shkarkimin e aplikacioneve në pajisjet Android. Komisioni konstatoi se Google i pengoi zhvilluesit e aplikacioneve t’i informonin përdoruesit për oferta më të lira jashtë Play Store dhe u ngarkoi tarifa që, sipas Brukselit, shkonin përtej asaj që lejon ligji.

Zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Europian për politikën e konkurrencës, Teresa Ribera, tha se Google nuk ka respektuar plotësisht detyrimet që rrjedhin nga Akti për Tregjet Digjitale.

“Produktet më të mira duhet të kenë sukses sepse janë më të mira, jo sepse i përkasin kompanisë që kontrollon motorin e kërkimit”, u shpreh ajo.

Hetimet për këto dy raste u hapën në mars të vitit 2024, paralelisht me çështje të ngjashme ndaj Apple dhe Meta. Sipas Politico, vendimi ishte arritur brenda Komisionit që në muajin mars të këtij viti, por publikimi i tij ishte shtyrë, duke nxitur kritika se Brukseli po vononte zbatimin e rregullave për të shmangur tensione me Uashingtonin.

Google e kundërshtoi menjëherë vendimin. Presidenti për çështjet globale i kompanisë, Kent Walker, deklaroi se kërkesat e Komisionit do ta detyrojnë Google të heqë funksione të kërkimit që përdoruesit europianë i përdorin çdo ditë, si shfaqja në kohë reale e çmimeve dhe disponueshmërisë së hoteleve apo fluturimeve, si edhe të dobësojë masat e sigurisë në Play Store.

Ai e cilësoi vendimin si një veprim që, sipas tij, do të çojë në “përkeqësimin e produktit”, ndërsa kompania bëri të ditur se po shqyrton të gjitha opsionet ligjore, përfshirë apelimin.

Komisioni Europian tha se Google ka nisur tashmë të testojë disa ndryshime, përfshirë mënyrën se si shfaq shërbime si Google Shopping, hotelet dhe fluturimet, duke e cilësuar këtë si “progres të konsiderueshëm”.

Megjithatë, bisedimet mes palëve vazhdojnë edhe për mënyrën se si rregullat do të zbatohen për shërbimet e reja të inteligjencës artificiale të kompanisë, si AI Overviews dhe AI Mode.

Vendimi vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Administrata e presidentit Donald Trump i ka cilësuar vazhdimisht gjobat europiane ndaj kompanive amerikane të teknologjisë si një pengesë tregtare. Teresa Ribera hodhi poshtë çdo pretendim se presioni politik ka ndikuar në vendimin e Komisionit, duke theksuar se institucioni vepron vetëm në bazë të ligjit.

ME TE LEXUARAT