“Lamallari do kishte arrestuar të gjitha pulat që të mos pillnin vezë”, Korreshi ironi me ministrin: Ato janë armët e “terroristëve”

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar në Kuvend pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke kundërshtuar etiketimin e protestuesve si të dhunshëm dhe duke mbrojtur qytetarët që morën pjesë në tubimin para Parlamentit.
Korreshi i kërkoi kryetarit të seancës të mos lejonte përdorimin e termave që, sipas tij, kanë irrituar opinionin publik.
“I nderuar kryetar, nuk duhet të lejonit disa fjalë që e kanë irrituar gjithë opinionin publik. Terrorizëm sot dhe skuthllëqet e llambadarit (Lamallarit). Këto nuk duhet të ishin lejuar prej jush”, tha ai.
Deputeti demokrat u shpreh se ka qenë vetë pjesë e protestës së bashku me familjen e tij, duke mohuar që protestuesit të mund të konsiderohen terroristë.
“Unë kam qenë me djemtë e mi dhe me familjen time në shesh dhe as kam qenë, as jam terrorist. Nëse ka një protestë nga më paqësoret, është kjo që po ndodh sot”, deklaroi Korreshi.
Ai ironizoi deklaratat e ministrit Lamallari për përdorimin e vezëve gjatë protestës.
“Po të ishte për Lamallarin dhe skuthllëqet e tij, do kishte arrestuar të gjitha pulat që të mos pillnin vezë, sepse ato janë armët terroriste dhe kimike që po përdorin sot ‘terroristët’ aty jashtë”, u shpreh deputeti i PD-së.
Korreshi kritikoi gjithashtu kushtet e punës së efektivëve të Policisë së Shtetit, duke thënë se ata janë lënë pa uniforma të reja, pa pagesa për orët shtesë dhe të ekspozuar në temperatura të larta.
“Të merret me ato forca policie, se ka katër vjet që nuk u blen uniforma. Ata njerëz, bij nënash, i vini të përballen me njerëz familjarë. Nuk u keni dhënë orët shtesë dhe i lini të digjen në diell. Me këtë duhet të ishte marrë Lamallari sot”, tha ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Korreshi theksoi se protestuesit nuk janë terroristë, por qytetarë të revoltuar.
“As unë, as familja ime dhe as ata atje nuk janë terroristë, por janë këtu për turpin që politika juaj ka prodhuar për këto 13 vite”, përfundoi Korreshi.