Atletja bjelloruse nuk dëshiron të kthehet në vendlindje, kërkon azil politik në Europë

24- vjeçarja Krystsina Tsimanouskaya, atlete bjelloruse ka kërkuar azil politik në vendet e Europës. Kjo vjen pasi deklaroi se është nisur me forcë nga ekipi i saj në aeroport. Një ditë më parë mediat shkruanin se ajo refuzoi që të niset me Aeroplan drejt Bjellorusisë, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha sot se ajo është e sigurt në Tokio.
Para se të nisej, ajo ka kërkuar ndihmë nga policia japoneze, ndërsa REL shkruan se Polonia dhe Republika Çeke i kanë ofruar ndihmë publikisht. Ndërkohë mësohet se fondacioni për Sportin Bjellorus, organizatë që mbështet atletët opozitarë, ka thënë se Tsimanouskaya planifikon të kërkojë azil në Gjermani apo Austri.

“Ajo na ka siguruar se është e sigurt. Ne jemi duke biseduar me të sërish këtë mëngjes, për të kuptuar se cilët do të jenë hapat e radhës. Ne duhet ta dëgjojmë atë, të kuptojmë çfarë dëshiron ajo dhe të mbështesim vendimin e saj”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mark Adams, duke theksuar se ajo ka kaluar natën në hotelin e aeroportit, teksa është mbrojtur nga autoritetet.
Më herët, 24-vjeçarja deklaroi se nuk dëshiron të rikthehet në vendlindje. “Më është bërë presion dhe ata janë duke tentuar të më largojnë me forcë nga shteti”, mendohet të ketë thënë ajo./REL


