Zbulohet arena romake në Turqi, mbante 20 mijë spektatorë

Një zbulim mahnitës është bërë nga arkeologët në Turqi. Mësohet se ata kanë zbuluar një arenë romake në shtetinn turk, që sipas tyre është e ngjashme me Koloseun e Romës dhe mendohet se ka organizuar luftime mes gladiatorëve për rreth 20 mijë spektatorë.

Mediat e huaja shkruajnë se ky zbulim është bërë pas disa gërmimesh në Mastaura, një qytet antik në provincën Aydin.
Megjithatë, kjo arenë është më e vogël se Koloseu, që filloi të ndërtohej në vitin 70 pas Krishtit dhe mund të strehonte 50 mijë deri në 80 mijë spektatorë në total.

Zbulimi u konsiderua shumë i rrallë dhe i rëndësishëm nga arkeologu Sedat Akkurnaz.

“Nuk ka asnjë shembull të mëparshëm të një amfiteatri të tillë në Anadoll dhe përreth tij. Është shembulli i vetëm që ka mbijetuar në këtë mënyrë shumë solide.
Ndërtesa nuk është e dukshme për shkak të shkurreve, ndërsa pjesa më e madhe e amfiteatrit është nën tokë. Seksionet nën tokë janë ruajtur shumë mirë. Është e fortë sikur sapo është ndërtuar”, tha ai.



