Anthony Fauci del para Senatit amerikan, refuzon të përgjigjet mbi origjinën e COVID-19

Anthony Fauci, i cili udhëhoqi përgjigjen e qeverisë së SHBA-së ndaj pandemisë së Covid-19, shfrytëzoi të drejtën e tij nga Amendamenti i Pestë kundër vetëinkriminimit, duke refuzuar të dëshmojë të mërkurën vetëm pak minuta pas nisjes së një seance dëgjimore në Kapitol Hill, ku republikanët shpresonin hapur ta minonin shkencëtarin dhe ta hapnin rrugën për akuza ndaj tij për dëshmi të rreme.
Duke u paraqitur përpara Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare pas marrjes së një fletëthirrjeje nga senatori Rand Paul, Fauci përmendi atë që e cilësoi si "fiksimin e tij të dukshëm për të kërkuar ndjekjen time penale" nga ana e kryetarit republikan, si arsyen për refuzimin e tij për të folur.
Ky hap me siguri do të tërojë kritikët republikanë të Fauci-t, të cilëve u është hequr mundësia e një tribune publike për të rikthyer në vëmendje keqmenaxhimin e tij të pretenduar të përgjigjes ndaj Covid-19 dhe teoritë e konspiracionit mbi origjinën e virusit.
Por në deklaratën e tij hyrëse, Fauci pohoi se "e vetmja arsye pse (senatori Paul) po më thërret përpara këtij komisioni është të më bëjë të mekur diçka, çfarëdo qoftë, që mund të arsyetojë zotimet e tij të përsëritura publike se unë do të përfundoj, sipas fjalëve të tij, 'prapa grilave'."
Në fillim të seancës, Fauci përmendi vazhdimisht Amendamentin e Pestë ndërsa Paul i bënte pyetje rreth kërkimeve të financuara nga NIH (Institutet Kombëtare të Shëndetit) dhe origjinës së Covid-19, duke nxitur hera-herës frustrimin e senatorit.
"Le të shënohet në procesverbal se dëshmitari ka refuzuar të përgjigjet nëse ka një dosje përpara tij, duke u bazuar në të drejtën e tij nga Amendamenti i Pestë," tha Paul në një moment.
Fauci, figura kryesore e kërkimeve për sëmundjet infektive në Amerikë që nga kriza e HIV/AIDS-it, është paraqitur më shumë se 250 herë përpara Kongresit, dhe kjo është hera e parë që ai përdor Amendamentin e Pestë.
Ish-drejtori 85-vjeçar i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) ka dalë edhe më parë përpara ligjvënësve për të mohuar, nën betim, pretendimet e ngritura nga senatori Paul për fshehjen e origjinës së pandemisë së Covid-19 dhe kërkimet kontroverse mbi sëmundjet infektive.
Presioni nga Paul dhe të tjerë e shtyu Presidentin Joe Biden të falte paraprakisht Fauci-n gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë, duke e mbrojtur atë nga akuzat që lidhen me çdo deklaratë të bërë në vitet e kaluara.
Por ai u përball me një kërcënim të ri pasi Paul u bë kryetar i një komisioni kryesor të Senatit: që senatorët republikanë dhe të tjerë, përfshirë Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane të SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., do të përpiqeshin të gjenin rrugë të reja për të ngritur akuza për dëshmi të rreme kundër tij.
"Një falje që mbron një person nga ndjekja penale nuk e rishkruan historinë. Ajo nuk fshin dokumente. Nuk e shndërron një deklaratë mashtruese në të vërtetë dhe nuk e pengon Kongresin të përcaktojë se çfarë ka ndodhur," tha Paul në fjalën e tij hyrëse, duke iu referuar pretendimeve të tij se Fauci kishte paraqitur gabimisht origjinën e pandemisë dhe kishte fshirë korrespondencën e brendshme.
Paul dhe Kennedy e bënë të qartë përpara seancës se shpresonin që Fauci, i cili u pensionua në vitin 2022, të jepte dëshmi të rreme në komentet mbi origjinën e Covid-19, masat e izolimit dhe kërkimet shkencore të financuara nga NIAID.
"Ka shumë gjëra që ai (Fauci) ka thënë e që ne e dimë se janë gënjeshtra, dhe Rand Paul me gjasë do ta pyesë për ato gjëra, e nëse ai gënjen sërish, atëherë mund të përballet me ndjekje penale për dëshmi të rreme," tha Kennedy për Fox News të hënën mbrëma.
Presidenti Donald Trump gjithashtu dha mendimin e tij përpara seancës dëgjimore të së mërkurës, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se Fauci "bëri tepër vendime të gabuara". Presidenti shtoi se ai "nuk e la (Fauci-n) të mbyllte vendin" gjatë pandemisë.
Refuzimi i Fauci-t për t'iu përgjigjur pyetjeve vjen gjithashtu pak ditë pasi një tjetër republikan i Dhomës së Përfaqësuesve referoi ish-prokurorin e posaçëm Jack Smith në Departamentin e Drejtësisë për ndjekje të mundshme penale, duke sugjeruar se ai kishte bërë deklarata të rreme në dëshminë e tij përpara komisionit, e cila u zhvillua prapa dyerve të mbyllura. Ashtu si Fauci, edhe Smith ka qenë nën një vëzhgim të rreptë nga aleatët e Trump-it, të cilët u zemëruan nga hetimi i tij mbi përpjekjet e presidentit për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
Paul pretendon se Institutet Kombëtare të Shëndetit financuan kërkime virale në Wuhan të Kinës, të cilat krijuan lloje më virulente dhe më ngjitëse të koronavirusit. Të njohura si kërkime të "rritjes së funksionit" (gain-of-function), këto lloj studimesh përdoren shpesh për të kuptuar më mirë se si përhapen viruset dhe si të trajtohen ato.
Fauci ka mohuar ndër vite që NIH të ketë financuar ndonjëherë studime që lidhen me koronavirusin që shkaktoi pandeminë e vitit 2020. Rishikimet federale të shpërthimit kanë qenë papërfundimtare rreth burimit të tij, por nuk ka asnjë provë që virusi të jetë modifikuar genetikisht dhe të ketë rrjedhur nga një laborator virologjie.
Megjithatë, Fauci dhe Paul janë përplasur rregullisht në seancat dëgjimore të Kongresit mbi pyetjen nëse NIH financoi kërkime të tilla në Kinë. Fauci mbron qëndrimin se, sipas përkufizimit zyrtar të qeverisë për kërkimet e rritjes së funksionit, agjencia nuk ka financuar studime të tilla jashtë vendit.
Kjo ka mbetur një pikë kritike për Paul-in dhe një debat i nxehtë mes të dyve në seanca të shumta dëgjimore parlamentare.
"NIH dhe NIAID kategorikisht nuk kanë financuar kërkime të rritjes së funksionit për t'u kryer në Institutin e Wuhan-it," i tha Fauci Paul-it në një seancë të tensionuar përpara Komisionit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet në maj 2021.
I pyetur sërish atë korrik nga Paul rreth këtyre kërkimeve, Fauci u shpreh: "Nëse dikush po gënjen këtu, senator, jeni ju."
Përpara seancës së kësaj jave, Paul publikoi 1,100 faqe nga ditarët e Fauci-t si drejtor i NIAID-it, nga fundi i vitit 2019, kur Covid-19 nisi të përhapej në Kinë, e deri në daljen e tij në pension në dhjetor 2022. Shënimet në ditar tregojnë shqetësimin e tij në rritje për pandeminë, konfliktet e brendshme me zyrtarët e administratës dhe dokumentimin e famës së tij në rritje.
Kennedy zbuloi në një intervistë për Fox të hënën mbrëma se ia kishte dorëzuar ato dosje Paul-it pas një kërkimi tetëmujor.
Fauci iu referua publikimit të ditarit të tij si një provë tjetër e kryqëzatës së Paul-it kundër tij, duke e quajtur atë një lëvizje "të synuar për të më turpëruar dhe frikësuar".
Ai i përmbylli deklaratat e tij duke thënë: "Edhe pse më dhemb ta bëj këtë për shkak të respektit që kam për degën ligjvënëse të qeverisë dhe historikut tim dekada-gjatë të bashkëpunimit me Kongresin, me këshillën e avokatëve të mi, do të shfrytëzoj të drejtën time sipas Amendamentit të 5-të të Kushtetutës për t'u abstenuar nga përgjigjet ndaj pyetjeve tuaja."
Demokrati i rangut më të lartë në komision, senatori Gary Peters nga Michigan, shprehu keqardhjen që Paul po fokusohej te Fauci në kurriz të prioriteteve të tjera të komisionit.
"Në vend që të fokusohet në sfidat e sigurisë kombëtare me të cilat po përballemi në vendin tonë tani, seanca e sotme shikon prapa, duke iu rikthyer pyetjeve që ky komision i ka ekzaminuar tashmë," tha Peters në fjalën e tij përpara se Fauci të thërriste Amendamentin e 5-të. "Në vend që të mbështetemi mbi atë punë për të fuqizuar përgatitjen tonë ndaj fatkeqësive të ardhshme, ne përkundrazi po rihapim debatin për të kaluarën."


