“Ata studentë do të paguajnë!”/ Deutsche Welle: Si po transmetohet gjuha e dhunshme e politikës në shoqëri

Një material i publikuar nga Deutsche Welle (DW) ka vënë në fokus dinamikat e komunikimit politik në Shqipëri, duke analizuar se si retorika e përdorur nga aktorët kryesorë politikë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Sali Berisha, reflektohet te klima e tensionuar në shoqëri dhe në institucione.
Sipas raportimit të DW, mënyra e komunikimit të pushtetit shpesh shoqërohet me tone të ashpra dhe akuza. Në video prezantohen deklarata të kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëron masa ndaj studentëve dhe protestuesve që cenojnë rendin, duke u shprehur:
“Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit, nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti” dhe duke shtuar më tej se “do të paguani”. Nga ana tjetër, materiali sjell në vëmendje edhe thirrjet e opozitës për mosbindje civile.
Çfarë thonë ekspertët për strategjinë e komunikimit?
Për të kuptuar peshën e këtij stili komunikimi, DW ka konsultuar ekspertë të fushës, të cilët analizojnë synimet pas këtyre mesazheve.
Eksperti i komunikimit, Elvin Luku, vëren se zgjedhja e një gjuhe të tillë në momente të caktuara ka për qëllim intimidimin e aktorëve politikë dhe publikut:
“Mënyra përse zgjidhet pikërisht në këtë moment është që të intimidojë të gjithë aktorët politikë, të cilët mund të bëjnë diçka në këtë situatë,” shprehet ai, duke e lidhur këtë me përpjekjet për mobilizim dhe kundër-reagim nga të dyja krahët.
Nga ana e saj, sociologia Entela Binjaku sjell një këndvështrim mbi pasojat shoqërore të këtij normalizimi të agresivitetit:
“Ajo dhunë që ata shohin në parlament, në komisionet parlamentare, në debatet politike, përcillet në opinion dhe opinioni e përvetëson atë. Ky normalizim bëhet në njëfarë mënyre si një ‘lëkurë e dytë’ për shoqërinë,” thekson ajo.
Materiali i DW ngre një pikëpyetje thelbësore mbi lidhjen shkak-pasojë mes gjuhës së përdorur nga elita politike dhe incidenteve të dhunshme në protesta apo në institucione.
Ndërkohë që pamjet tregojnë përplasje fizike, dëmtime pronash dhe tensione në Kuvend, korrespondentja e DW, Rashela Shehu, përmbyll me pyetjen që mbetet e hapur për opinionin publik: Për pasojat e kësaj gjuhe dhe këtij modeli politik, kush duhet të mbajë përgjegjësi?


