Plum'bat e gomës dhe protokolli i përdorimit. Amnesty International: Rrezik për verbim dhe humbje jete

Aktualitet

Plum'bat e gomës dhe protokolli i përdorimit. Amnesty

TIRANË- Gjatë protestës studentore në Tiranë, policia qëlloi me plumba gome ndaj protestuesve, duke lënë disa prej tyre të lënduar. Të rinjtë kanë treguar shenja goditjesh në ballë, qafë dhe në gjoks, ndërsa përdorimi i këtyre mjeteve ngre shqetësime për pasojat që mund të shkaktojnë në shëndetin e tyre. Sipas Amnesty International, plumbat e gomës, pavarësisht se konsiderohen mjete me rrezik më të ulët vdekjeprurës, mund të shkaktojnë dëmtime të rënda, humbje të shikimit dhe madje vdekje.

Çfarë rrezikojnë protestuesit nga plumbat e gomës?

Në varësi të llojit të predhës, distancës së goditjes dhe pjesës së trupit që preket, plumbat e gomës mund të shkaktojnë plagë të thella, fraktura, hemorragji dhe dëmtime të organeve të brendshme. Goditjet në kokë dhe fytyrë mund të shkaktojnë dëmtime të syve, humbje të shikimit, fraktura të kockave të fytyrës dhe dëmtime të trurit.

Goditjet në qafë paraqesin rrezik për enët e gjakut dhe rrugët e frymëmarrjes, ndërsa ato në gjoks mund të dëmtojnë mushkëritë dhe organet e tjera të brendshme. Edhe goditjet në këmbë mund të shkaktojnë fraktura dhe dëmtime nervore.

Në rastet më të rënda, përdorimi i këtyre predhave mund të përfundojë me pasoja të përhershme ose humbje jete. Për këtë arsye, personat e goditur në kokë, fytyrë, qafë ose gjoks duhet të marrin vlerësim urgjent mjekësor, edhe nëse dëmtimi i dukshëm duket i vogël.

Çfarë thotë Amnesty International për përdorimin e plumbave të gomës?

Në një raport, Amnesty International listoi raste të shumta plagosjesh të rënda dhe vdekjesh të lidhura me keqpërdorimin e plumbave të gomës dhe predhave të tjera nga forcat e rendit në vende të ndryshme të botës. Organizata evidentoi raste kur këto mjete janë përdorur kundër protestuesve paqësorë, janë qëlluar pa dallim drejt turmave ose janë drejtuar në zona të ndjeshme të trupit. Amnesty International ka hartuar 25 rregulla për të parandaluar keqpërdorimin e këtyre armëve dhe për të ndihmuar autoritetet të përshtatin politikat e tyre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Kur duhet të përdoren plumbat e gomës nga policia?

Sipas Amnesty International, predhat me impakt kinetik duhet të përdoren vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, nga punonjës të trajnuar dhe si mjet i fundit, kur ekziston një kërcënim i menjëhershëm për dëmtim të konsiderueshëm të personave të tjerë. Përdorimi i forcës nga policia duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Kjo do të thotë se ndërhyrja duhet të jetë e justifikuar nga rrethanat konkrete dhe nuk duhet të shkaktojë dëme më të mëdha sesa ato që kërkohen për të përballuar kërcënimin.

Plumbat e gomës nuk duhet të përdoren pa dallim drejt turmave apo kundër personave që protestojnë në mënyrë paqësore. Po ashtu, duhet të shmangen goditjet në kokë, fytyrë dhe qafë, për shkak të rrezikut të lartë të dëmtimeve të rënda ose të përhershme. Amnesty International thekson se këto mjete nuk duhet të kthehen në një mënyrë rutinë për kontrollin e protestave dhe se përdorimi i tyre duhet tu nënshtrohet rregullave të rrepta, trajnimit dhe llogaridhënies.

Në cilat pjesë të trupit nuk duhet të qëllojë policia me plumba gome?

Koka dhe balli- rrezik për fraktura të kafkës dhe dëmtime të trurit.

Fytyra- rrezik për fraktura dhe dëmtime të rënda.

Sytë- mund të shkaktojnë humbje të përhershme të shikimit.

Qafa dhe fyti- rrezik për dëmtime të enëve të gjakut dhe rrugëve të frymëmarrjes.

Gjoksi dhe kraharori- rrezik për dëmtime të mushkërive, zemrës dhe organeve të tjera të brendshme.

Barku- rrezik për dëmtime të organeve të brendshme dhe hemorragji.

Ijet dhe organet gjenitale - rrezik për dëmtime serioze të organeve dhe indeve të ndjeshme./Dosja.al

ME TE LEXUARAT