Albert Sylaj në kërkim pasi vra'u kunatën me sëpatë, Policia thirrje qytetarëve: Të njoftojë kush e sheh

Kosovë&Rajon

Albert Sylaj në kërkim pasi vra'u kunatën me
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Albert Sylajn, autori i dyshuar për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Sylaj Zekaj. 

Policia ka publikuar foton e tij dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione për vendndodhjen e tij, t’i raportojnë ato në numrat 192 dhe 0800 19999, pa pagesë, ose në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, në numrin 039 432 327. Informacionet mund të paraqiten edhe në stacionin më të afërt policor. 

Albert Sylaj dyshohet se qëlloi me sëpatë kunatën e tij, Arlinda Sylaj Zekaj, duke i marrë jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak orë pasi 49-vjeçarja ishte paraqitur në stacionin e policisë, ku kishte denoncuar dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme që i vinin nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij. Ajo kërkonte që ata të largoheshin nga banesa e tij, ku qëndronte dhe i biri. 

Ndërkohë vëllai i tij, Jeton Sylaj po ashtu është ndaluar nga policia, si i përfshirë në ngjarje, edhe pse akuzat ende nuk bëhen të ditura.

Historia e  Arlindës përfshin dhunë në familje dhe një betejë të gjatë nga 49-vjeçarja për t'u bashkuar me djalin e saj.  

Arlinda dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar rreth dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja kishte prejardhje nga Deçani, ndërsa më pas kishte jetuar në Vitomiricë të Pejës. Por pas kthimit në Kosovë, marrëdhëniet familjare dyshohet se ishin përkeqësuar deri në atë pikë sa Arlinda ishte përballur me dhunë të vazhdueshme. Bashkëshorti e kishte dëbuar nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe ishte ndarë prej saj.  

Pas ndarjes, Arlinda ishte përballur edhe me pengesa për ta marrë fëmijën pranë vetes. Në një periudhë kur bashkëshorti kishte udhëtuar për në Amerikë, djali kishte mbetur nën përkujdesjen e një personi të tretë, ndërsa nëna kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për ta zgjidhur çështjen.  

Kërkesat për ndërhyrje ishin lidhur edhe me pretendimin se fëmija kishte mbetur pa përkujdesjen e prindit që ishte larguar jashtë vendit. Për Arlindën, moslejimi që ta kishte djalin pranë nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje familjare. Sipas pretendimeve, ajo e përjetonte këtë situatë si një formë të rëndë të dhunës psikologjike.  

Në këtë histori përmendet edhe ekzistenca e një urdhri mbrojtës, të lidhur me dhunën e raportuar nga bashkëshorti. Megjithatë, mbeten për t’u verifikuar përmbajtja, kohëzgjatja dhe mënyra e zbatimit të tij, si dhe vendimet që janë marrë lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës. Një tjetër element shqetësues lidhet me pretendimet për vonesa në trajtimin e kërkesave institucionale.  

Sipas mediave në Kosovë, për një urdhër ishte pritur rreth 24 ditë, ndërsa një kërkesë tjetër pretendohet se ishte refuzuar. Ende nuk është sqaruar se për cilin vendim konkret bëhet fjalë, cila gjykatë apo institucion e kishte trajtuar kërkesën dhe mbi çfarë arsyetimi ishte marrë vendimi. Por ajo që dihet është se Arlinda, vetëm tre ditë përpara vrasjes, kishte kërkuar urgjentisht ndërhyrjen e Prokurorisë Themelore në Pejë.  

Në letrën e pranuar më 22 tetor 2026, drejtuar Kryeprokurores, viktima kishte kërkuar marrjen e masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave, si dhe ekzekutimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor. Në dokument, ajo shkruante se rreziku për jetën e saj vazhdonte, ndërsa kërkonte hetime edhe ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.  

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar Arlinda.  

Në të njëjtën letër ajo kishte paralajmëruar se mund të vinte dita kur institucionet do të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta. Tre ditë më vonë, ajo u vra. Mbrëmjen e 25 tetorit, Arlinda ishte marrë në pyetje  nga policia në Pejë lidhur me një rast të dhunës në familje dhe rreth orës 20:58 ishte kthyer në shtëpi nga patrulla policore. Rreth dhjetë minuta pas largimit të zyrtarëve policorë, ajo u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit. 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion