Zjarrvëniet masive/ 6 të arrestuar dhe 7 nën hetim, dënimet deri në 20 vite burg

Policia e Shtetit ka vënë në pranga disa persona përgjegjës për ndezjen e zjarreve që kanë shkaktuar dëme të mëdha në mjedis, pyje dhe zona të banuara në disa qarqe të vendit. Shkaktarët e flakëve, në shumicën e rasteve, kanë vepruar me qëllim për hapjen e kullotave ose pastrimin e tokave, duke shkaktuar pasoja të rënda.
Në Vlorë është arrestuar 33-vjeçari Elmaz Fejzaj, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në malin e Shashicës, në fshatin Kaninë, për të hapur kullota. Flakët dolën jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme dhe duke rrezikuar zonat e banuara në Kaninë dhe Sherishtë.
Në Tiranë, në zonën e Malit me Gropa, u arrestua 63-vjeçari Bahri Hysa, i cili, gjatë punës si bari, dyshohet se ka shkaktuar zjarr që dogji rreth 600 hektarë tokë në një zonë të mbrojtur brenda Parkut Kombëtar të Dajtit.
Një tjetër arrestim u krye në Shijak, ku një 58-vjeçar dogji mbeturina në tokën e tij në fshatin Shetel. Flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë pyllin dhe rrezikuar shtëpitë përreth.
Në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë në Fier, Gjirokastër dhe Cërrik, ndërsa 7 persona të tjerë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për zjarre të qëllimshme në Sarandë, Fier, Kurbin, Dibër, Poliçan dhe Shkodër.
Të gjithë të arrestuarit po hetohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” ose “Dëmtimi i pyjeve me zjarr”, e cila parashikon dënime nga 5 deri në 20 vjet burg, në varësi të përmasave të dëmit. Policia dhe emergjencat civile kanë paralajmëruar kontrolle intensive në gjithë territorin për të ndaluar veprimet kriminale që rrezikojnë mjedisin dhe jetën e qytetarëve.


